Posta e Kosovës përmes një kumtese për media, njofton për një kacafytje që ka ndodhur sot mes dy drejtorëve të menaxhmentit të ndërmarrjes, emrat e të cilëve nuk i ka bërë të ditur.
“Sot paradite në objektin e administratës qendrore të Postës së Kosovës, ka ndodh një incident i vogël i fjalosjes dhe kacafytjes në mes të dy drejtorëve të menaxhmentit të ndërmarrjes. Për këtë rast janë duke u marrë organet e rendit, ndërsa dy drejtorët janë duke u intervistuar në Policinë e Kosovës në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Postës.
Tutje, theksohet se Menaxhmenti i ndërmarrjes, do të ndërmerr masat disiplinore gjatë ditëve në vijim, sipas rregulloreve të brendshme të ndërmarrjes dhe ligjeve në fuqi.
Zëdhënësja e Policisë në Prishtinë, Flora Ahmeti tha për KOHËN se rasti është duke u hetuar dhe të njëjtit, përfshirë dëshmitarët, janë duke u intervistuar.
“Sot rreth orës 09:30 kemi pranuar informatën për një mosmarrëveshje që ka ndodhur brenda objektit të Postës së Kosovës. Aktualisht rasti ndodhet në fazën fillestare të intervistimi, nga njësitet kompetente po intervistohen palët e përfshira si dhe dëshmitarët. Hetuesit policor në koordinim të ngushtë me prokurorinë përkatëse do të ndërmarrin veprimet e mëtejme lidhur me rastin në fjalë”, thuhet në përgjigjen e policisë për KOHËN.