Dërgesat nga diaspora në Kosovë vazhdojnë të jenë një prej burimeve kryesore të financimit të konsumit të ekonomive familjare, pavarësisht pandemisë.
Gjermania dhe Zvicra janë dy shtetet nga ku mërgimtarët dërgojnë më së shumti para në vendlindje.
Referuar statistikave të fundit, në gjashtëmujorin e vitit 2020 del se dërgesat nga diaspora janë një prej burimeve kryesore në Kosovë.
Së fundi, eksperti i financave nga Fractyle Survey, Emrush T. Shkodra është shprehur se me gjithë vështirësitë e krijuara si pasojë e COVID-19, mërgata prapë se prapë del të jetë burimi kryesor i të hyrave në Kosovë.
“Remitencat janë pagesa parash në formën e dërgesave, pa kundër shpërblim dhe janë pjesë përbërëse e bilancit të pagesave në llogarinë korente të sistemit monetar. Ato, në mbarë botën llogariten të jenë fluksi i dytë më i rëndësishëm financiar pas ndihmave ndërkombëtare apo prodhimit vendor. E kur kemi parasysh të ne që s’kemi asnjërën e as tjetrën (as ndihmën ndërkombëtare e as prodhimin), atëherë remitencat dalin të jenë burimi i vetëm financiar i qëndrueshëm i buxhetit të Republikës së Kosovës” është shprehur ai.
Gjermania është shteti nga ku kosovarët dërgojnë më së shumti para. Shtetet kryesore prej nga vijnë këto dërgesa janë kryesisht ato shtete ku është e koncentruar diaspora dhe ku prin Gjermania, e përcjellë nga Zvicra, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austria, Italia, Franca, Suedia, Britania, Belgjika etj. /
Gazeta Sinjali