Kosova, nga të gjitha vendet e rajonit, pritet të vuaj më së shumti nga kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia për shkak të rënies së parashikuar të investimeve deri në 21.5%. Kjo tkurrje do të vie si pasojë e zvogëlimit të investimeve publike dhe atyre të jashtme. Këto të fundit me vite kanë qenë në formë të investimeve të mërgatës sonë në pasuri të paluajtshme, shkruan Gazeta Metro.
Autoritetet në Kosovë ende nuk kanë arritur të nxjerrin një shifër të saktë se sa mund të ketë qenë dëmi që i është bërë ekonomisë që nga vendosja e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.
Si pasojë e pandemisë COVID-19, deri në 50 mijë qytetarë të Kosovës mund të humbin vendin e punës. Këtë e ka thënë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.
Që vendet e punës të mos shuhen, Rukiqi thotë, se duhet intervenuar Qeveria e Kosovës për të përkrahur bizneset.
“Sot Kosova ballafaqohet me krizën më të rëndë që nga paslufta. Është me rëndësi të trajtohen këto kriza si duhet, për shkak se mund të lënë pasoja të parikuperueshme. Ka pasur diku rreth 10 milionë euro humbje në ditë në periudhën kur ka qenë e mbyllur pothuajse gjithë ekonomia, pra p[o flasim nga 13 marsi deri më 1 qershor. Por nuk kemi të dhëna të sakta për periudhën pas 1 qershorit e deri më sot. Nëse marrim parasysh shifrat e tkurrjes së mundshme ekonomike, sigurisht mund të flasim për një numër të deri 25 mijë vendeve pune që mund të humben si pasojë e pandemisë. Ky është varianti më pozitiv, e mund të shkojë deri 50 mijë vende pune e më tepër”, ka thënë Rukiqi për “Radio Evropën e Lirë”.
Ai tutje ka thënë se në këtë situatë, shumë lehtë mund të humbin shumë kompani të cilat mund të detyrohen të shkojnë në procedura të falimentimit dhe si pasojë shumë njerëz mund t’i humbin vendet e tyre të punës.
Rukiqi ka thënë se ndikim negativ ka në pjesën e turizmit e gastronomis, gjithashtu edhe te transporti.
Ai thotë se për një periudhë afatmesme probleme mund të ketë edhe te sektori i tregtisë me pakicë dhe sektori i ndërtimit.//gazetametro.net