Bizneset ‘sytë’ nga qeveria, ‘zjarrfikësi’ i vetëm i gjendjes aktuale
11:03 | 16 Gusht 2020 | Agnesa Çitaku
Kanë kaluar gjashtë muaj që kur në Kosovë janë identifikuar rastet e para me Covid 19.
E, gjatë kësaj periudhe ekonomia e vendit ka shënuar rënie, shkruan arbresh.info.
Ndërsa bizneset kosovare ‘sytë’ i kanë nga Qeveria e Kosovës si ‘zjarrfikësi’ i vetëm i kësaj situate.
Kështu ka bërë të ditur në një intervistë dhënë për arbresh.info, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini.
Ai ka shtuar gjithashtu se si pasojë e Covid 19, mbi 250 mijë punëtorë kanë pas probleme me paga.
“Që nga 13 marsi kur është bllokuar ekonomia e vendit për shkak të Covid 19, ka qenë afër bizneseve për t’i përcjell. Mbi 85% e bizneseve të vendit janë të prekur nga pandemia, mbi 250 mijë punëtorë kanë pas vështirësi në sektorin privat për paga dhe këto vështirësi po vazhdojnë edhe sot. Kufizimet e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe konsumatorëve e kanë bërë që të bie konsumi, fillimisht kemi pas konsum të madh por të cilin më vonë e kemi pa se ka rënë konsumi dhe të hyrat”, ka thënë ai.
Sipas tij deri në fund të vitit mund të mbyllen deri në 5 mijë biznese që është dyfishi i atyre që mbyllen mesatarisht çdo vit.
“Nëse vazhdon kështu AKB vlerëson se deri në fund të vitit dëmet mund të jenë deri në 1 miliardë euro. Mesatarisht në kohë normale në vend janë hapur mbi 8 mijë biznese dhe janë mbyllur mbi 2 mijë brenda vitit, ndërsa në këtë vit nëse trendi i krizës do të vazhdoj ne do të kemi mbi 5 mijë biznese të shuara. Procedurat e mbylljes së biznesit janë të rënda dhe në këtë mënyrë në mungesë të vullnetit pronarët i shuajnë bizneset por nuk i mbyllin me procedura”, ka thënë ai.
I pari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) e ka quajtur ‘zjarrfikës’ të situatës Qeverinë e Kosovës
“Shteti duhet të subvencionoj bizneset dhe punëtorët, të vazhdoj me financimin e projekteve kapitale e të mos ketë selektim të bizneseve. Të vazhdoj me falje të normave të interes, ndëshkimeve e borxheve. Bizneset dhe qytetarët e vendit e shohin shpëtimtar, ‘zjarrfikës’ të krizës Qeverinë dhe mbështetjen nga Qeveria e Kosovës”, ka shtuar ai.
Ndryshe, gjatë periudhës prill-qershor të 2020-ës saktësisht janë shuar 146 ndërmarrje, shkruan arbresh.info.
Numri ma i madh është në kryeqytet, gjithsej 25 ndërmarrje të shuara, pasuar nga Prizreni me 22 ndërmarrje të shuara.
Kështu bëhet e ditur në Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë për tremujorin e dytë (TM2) 2020 të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK). Ndërsa pjesa më e madhe e ndërmarrjeve të shuara janë marrë me tregti me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave./arbresh.info/