Kryeministri Avdullah Hoti pas takimit të komitetit për vlerësimin e situatës me koronavirus tha se tri masat e detyrueshme janë mbajtja e maskave, mbajtja e distancës dhe higjiena personale.
Kryeministri paralajmëroi se s’do të ketë falje për askënd që s’i zbaton këto duke thënë se inspektorët dhe policët do të jenë në çdo rrugë, lagje dhe vend të Kosovës, njofton Klan Kosova.
“Nga ekspertët vendorë dhe ata ndërkombëtarë rekomandohen vetëm këto tri masa që ruajnë jetën e qytetarëve. Në këtë drejtim Inspektorati dhe Policia e Kosovës duhet të bëjnë punën e tyre, të cilët i kemi fuqizuar me staf shtesë në nivele vendi për të mbikëqyrë zbatimin e këtyre masave”.
Hoti tha se janë të shqetësuar me mosrespektim të rregullave në disa raste duke përmendur se janë organizuar jashtëligjshëm disa aktivitete sportive dhe protesta në Prishtinë.