Publicisti nga Amerika, Uk Lushi, ka thënë se lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tash do të hyjë në fushën ku luhet loja e vërtetë, duke shtuar se aty nuk ndihmojnë shumë fjalët, dhe se duhet të bashkëpunojë me të gjithë shqiptarët, shkruan Gazeta Metro.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Lushi ka thënë se Albin Kurti si ‘lojtar i ri’, nuk mund të nxjerrë në fushë e as të fusë lojtarë, duke përfshirë këtu edhe Presidentin e vendit, Hashim Thaçi.
“Për më me rëndësi, Albin Kurti duhet dhe do të luaj sipas rregullave, që nuk përcaktohen vetëm nga shqiptarët, porse edhe nga lojtarët dhe pjesëmarrësit tjerë në lojë. Albin Kurti duhet të përqendrohet në kontribut dhe bashkëlojë. Topi nuk mund dhe nuk do të jetë veç te ai gjatë gjithë kohës”, ka shkruar ai tutje.
Shkrimi i plotë:
Albin Kurti, tash, do të hyjë në fushë ku luhet loja e vërtetë. Në fushë fjalët nuk ndihmojnë shumë. Albin Kurti në fushë duhet të bashkëluaj me të gjithë lojtarët shqiptarë, pavarësisht simpative apo antipative të tij.
Albin Kurti si lojtar i ri në fushë nuk mundet të nxjerrë apo fusë në lojë lojtarë. As Hashim Thaçin.
Ne–elektorati–, sistemi ynë demokratik dhe interesat shqiptare i zgjedhim lojtarët, jo (vetëm) Kurti.
Për më me rëndësi, Albin Kurti duhet dhe do të luaj sipas rregullave, që nuk përcaktohen vetëm nga shqiptarët, porse edhe nga lojtarët dhe pjesëmarrësit tjerë në lojë. Albin Kurti duhet të përqendrohet në kontribut dhe bashkëlojë. Topi nuk mund dhe nuk do të jetë veç te ai gjatë gjithë kohës.
Driblingjet individuale të Kurtit apo kujtdo tjetër do të na kushtojnë, prandaj Kryeministri Kurti duhet të sillet dhe luaj si kryministër i mençur dhe ekipor./gazetametro.net