Arritja e marrëveshjes ndërmjet Maqedonisë Veriore dhe Greqisë, Bashkimi Evropian e ka konsideruar vazhdimisht si një prej shembujve që duhet të ndiqet nga Kosova dhe Serbia për arritjen e një marrëveshje finale.
Lidhur me këtë qëndrim të Bashkimit Evropian sot ka folur kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, i cili ka shprehur pakënaqësinë e tij me faktin se Evropa nuk po ia çel dyert për fillimin e negociatave për anëtarësim.
Zaev ka thënë se në rast se Maqedonia Veriore nuk shpërblehet nga BE’ja për nënshkrimin e “Marrëveshjes së Prespës” me Greqinë, atëherë si pret që të arrihet një marrëveshje për Republikën e Kosovës.
“ Të gjithë thonë se Marrëveshja e Prespës është një nga shembujt më të mirë në Ballkanin Perëndimor. Nëse BE’ja “penalizon” këtë marrëveshje dhe Maqedoninë e Veriut duke vonuar negociatat për pranim, si mund të presë që Aleksander Vuçiq dhe Hashim Thaçi të gjejnë një zgjidhje për çështjen e Kosovës, ose si do t’i motivojë liderët boshnjakë për të gjetur një zgjidhje në Bosnje e Hercegovinë”, ka thënë Zaev, shkruan ‘vesti-online’, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë Zaev thotë se Maqedonia Veriore nuk ka alternative tjetër përveç Evropës.
“Nuk kemi alternativë. Nëse BE-ja vendos që të mos hap rrugën për negociatat e anëtarësimit, ne nuk do të dorëzohemi në rrugën tonë drejt BE-së. Kjo është e ardhmja jonë”, ka thëën Zaev.
Në fund ai ka paralajmëruar se në rast të shtyrjes së mëtejshme, mund të bie edhe qeveria në Maqedoni