Kandidati për kryeministër i LVV-së, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk do të vrapojë pas Listës Serbe pa i takuar serbët tjerë, të cilët garuan në zgjedhjet e 6 tetorit. Mirëpo Kushtetuta e Republikës së Kosovës specifikon se për zgjedhjen e ministrit serb duhet të merret patjetër aprovimi i partisë, e cila përfaqëson këtë komunitet në Kuvend, në këtë rast të LS-së, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje Albin Kurti, i cili pretendon formimin e qeverisë së re, ka thënë se në Qeverinë e udhëhequr nga ai do të ketë një ministër nga komuniteti serb, por jo detyrimisht nga Lista Serbe. Mirëpo në Kushtetutën e Republikës së Kosovës thuhet se ministri i një komuniteti emërohet me miratimin e shumicës së deputetëve të atij komuniteti.
Në këtë rast i bie që ministri i komunitetit serb që caktohet qoftë nga Lista Serbe ose nga ndonjë subjekt tjetër i këtij komuniteti, duhet ta marrë patjetër miratimin e LS-së në Kuvend. Edhe njohësit e çështjeve politike thonë se shmangia e Listës Serbe nga Qeveria është e pamundur, pasi Kurti do të jetë i obliguar që Listën Serbe ta përfshijë në Qeverinë e ardhshme.
LEXO EDHE: Numërimi i votave nga diaspora, prin Vetëvendosja
Kurti: S’do të vrapojmë pas Listës Serbe pa i takuar serbët tjerë që kanë garuar
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër Albin Kurti ka deklaruar se nuk do të vrapojnë te Lista Serbe pa biseduar së pari me partitë që kanë garuar nga radhët e komunitetit serb.
“Ne do ta respektojmë Kushtetutën e Kosovës, por nuk do të vrapojmë te Lista Serbe pa i takuar dhe pa biseduar me serbët jashtë Listës Serbe, të cilët kanë garuar dhe të cilëve duket se edhe një herë u është bërë padrejtësi e madhe me parregullsitë e procesit zgjedhor dhe me shkeljet e shumta, që i kanë konstatuar edhe vëzhguesit ndërkombëtarë”, ka thënë Kurti.
Mirëpo Pika 3 e Nenit 96 e Kushtetutës së Republikës së Kosovës specifikon qartë se sa dikastere u takojnë komuniteteve joshumicë në rast se Qeveria ka gjithsej 12 ministri. Për zvogëlimin e numrit të ministrive nga 21 sa ka qenë në 12 është zotuar tashmë edhe fituesi i zgjedhjeve Albin Kurti.
“Në Qeveri do të jenë së paku një (1) ministër nga komuniteti serb dhe një (1) ministër nga ndonjë komunitet tjetër joshumicë në Kosovë. Nëse janë më shumë se dymbëdhjetë ministra, Qeveria do të ketë edhe një ministër të tretë, i cili përfaqëson njërin nga komunitetet joshumicë në Kosovë”, thuhet në Kushtetutë.
Ndërkaq Pika 5 e po këtij neni të Kushtetutës sqaron se zgjedhja e ministrit dhe e zëvendësministrave duhet të bëhet në pajtueshmëri me partinë që përfaqëson komunitetin serb në Kuvend. Në këtë rast Kurti duhet të marrë aprovim nga ana e Listës Serbe.
“Zgjedhja e këtyre ministrave dhe e zëvendësministrave do të vendoset pas konsultimit me partitë, me koalicionet ose me grupet që përfaqësojnë komunitetet, të cilat nuk janë shumicë në Kosovë. Nëse caktohen kandidatë jashtë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për këta ministra e zëvendësministra kërkohet miratimi formal i shumicës së deputetëve të Kuvendit, të cilët u përkasin partive, koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin në fjalë”, thuhet në Kushtetutë.
Kurti domosdo duhet të marrë aprovim nga Lista Serbe për emërimin e ministrit serb
Arton Demhasaj, njohës i çështjeve politike, ka theksuar se kandidati i LVV-së për kryeministër duhet gjithsesi të marrë aprovimin nga ana e Listës Serbe për emërimin e ministrit të komunitetit serb.
“Në bazë të Nenit 96 të Kushtetutës kushdo që emërohet kryeministër në Qeveri të Kosovës patjetër se duhet të marrë të paktën një aprovim formal nga ana e partisë ose e koalicionit që përfaqëson interesat e minoritetit serb në Kuvend të Kosovës”, ka thënë Demhasaj për “Zërin”.
Sipas tij, edhe nëse kandidati për ministër nuk vjen nga radhët e Listës Serbe, Kurti obligohet të marrë aprovimin e LS-së.
“Pra do të jenë të obliguar të marrin një aprovim nga ana e Listës Serbe, qoftë a do të jetë ministri nga ana e Listës Serbe ose a do të jetë dikush tjetër, aprovimi i LS-së duhet të merret”, ka thënë ai për gazetën “Zëri”.
Ndërkohë nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, në një deklaratë për një televizion të Serbisë ka thënë se ajo çfarë kërkon Kurti që të ketë në Qeveri një serb tjetër, i cili nuk i takon Listës Serbe, është e njëjtë sikur Lista Serbe të kërkojë që ai të mos jetë kryeministër, por dikush tjetër. Siç ka thënë ai, e gjithë kjo është në kundërshtim me ligjet dhe me Kushtetutën e Kosovës.
“Kjo çfarë ka thënë Kurti është pjellë e dëshirës së tij dhe ai këtë nuk e ka fshehur as para procesit zgjedhor dhe është takuar edhe me Rada Trajkoviqin, me Nenad Rashiqin dhe Slobodan Petroviqin, të cilët i ka shumë në qejf”, ka thënë Jevtiqi.
Në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë kanë garuar 4 subjekte politike të komunitetit serb. Lista Serbe, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, është i vetmi subjekt politik serb, i cili ka kaluar pragun zgjedhor./ZERI