Nga 530 vendvotime sa kanë shkuar në rinumërim, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë rinumëruar 129 vendvotime.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, i cili tha se deri më tani i gjithë procesi i rinumërimit ka vazhduar pa ndonjë problem dhe se i gjithë procesi pritet të përfundojë deri në fund të javës së ardhshme.
“Deri të premten në mesnatë janë rinumëruar 129 prej 530 vendvotimeve për të cilat ka vendosur më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Sipas njoftimeve që kemi nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve procesi i rinumërimit ka vijuar normalisht dhe nuk ka pasur ndonjë pengesë. Ky rinumërim është duke vazhduar edhe sot, pra gjatë ditës së shtune dhe do të vazhdojë për disa ditë deri në përmbylljen e plotë të këtyre rinumërimeve”, tha ai.
Në bazë të dinamikës së rinumërimit të deritanishëm, Elezi tha se i gjithë procesi i rinumërimit pritet të përfundojë para fundjavës së ardhshme.
“Nëse shohim dinamikën e rinumërimit deri më tani të këtyre vendvotimeve, për një ditë e gjysmë janë rinumëruar 129 vendvotime, atëherë në bazë të kësaj dinamike presim që para fundjavës së ardhshme të përmbyllet i gjithë ky rinumërim”, tha Elezi.
Elezi u shpreh se pasi të përfundojë procesi i rinumërimit të 530 vendvotime do të fillojë numërimi i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta.
“Menjëherë pas përfundimit të këtij procesi të rinumërimit të këtyre 520 vendvotimeve në QNR do të jetë gjithçka gati për të filluar me numërimin e votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta”, deklaroi ai.
Kujtojmë se 149 vendvotime kanë shkuar në rinumërim për shkak se shënimi ka qenë jo i saktë i subjekteve politike, ndërsa 24 vendvotime me probleme teknike të cilat nuk kanë mundur të procesohen në bazën e të dhënave.
Po ashtu, në rinumërim kanë shkuar edhe 81 vendvotime ku subjekti nuk ka pasur vota, ndërsa, kandidatët kanë pasur vota, pastaj 89 vendvotime rinumërohen sepse kandidati ka më shumë vota se subjekti dhe 187 për shkak se kandidatët kanë më shumë vota se sa subjekti.