Duke komentuar deklaratën e liderit të lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti se do të ketë përfaqësues të serbëve në qeverinë e Kosovës, por jo edhe përfaqësues të Listës Serbe, Jevtiq ka thënë për televizionin serb RTS se “Kurti flet çfarë kishte dëshiruar, mirëpo është diçka tjetër çfarë qëndron në ligje”.
Ai ka shpjeguar se në Kushtetutë, në Nenin 96 shkruan se “përfaqësuesi i serbëve në qeverinë e Kosovës do të zgjidhet me shumicë të përfaqësuesve të atij komuniteti në Kuvendin e Kosovës”.
“Këtu nuk ka debat. Ajo çfarë flet Kurti se do ta merr ndonjë serb, kjo është sikur ne të themi se nuk e duam Kurtin për kryeministër por do ta marrim dikë tjetër. Kjo është e pamundur”, ka pretenduar Jevtiq.
Sipas fjalëve të tij, “nëse Kurti vërtetë dëshiron të jetë kryeministër i Kosovës, ai duhet ta pranojë faktin se Lista Serbe ka fituar”.
“Do t’i presim rezultatet përfundimtare, nuk është dallimi i madh në mes të partisë së parë dhe të dytë në këtë moment, pasi ende nuk janë numëruar të gjitha votat. Megjithëse po supozohet se shumica e votave të cilat kanë arritur me postë janë për Vetëvendosje”, ka thënë Jevtiq.
Jevtiq ka theksuar se “është shumë me rëndësi që Lista Serbe i ka fituar të gjitha 10 mandatet në parlamentin e Kosovës”.
“Kjo do të thotë se nuk kemi lënë hapësirë cilitdo lider shqiptar të bëjë tregti me atë se cili është interesi i popullit serb në Kosovë”, ka shtuar Jevtiq./Insajderil.com.