Isa Mustafa ka bërë reagimin e parë pas takimit të sotëm me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, nënkryetarin, Besnik Bislimin dhe zonjën Vjosa Osmani.
Bashkë me reagimin ai ka publikuar edhe një fotografi të kualitetit të dobët, e ku katër të sipërpërmendurit janë të kthyer kah aparati fotografik.
Mustafa lajmëron miqtë dhe përkrahësit e tij në Facebook për takimin e mbajtur sot, dhe deklaron se bashkë me VV-në “do të përpiqen të gjejnë zgjidhje për mënyrën e participimit në Qeveri.”
Ai shton se do të punohet edhe në ditët në vijim pasi të përfundojë krejtësisht procesi i numërimit të të gjitha votave, ku do të përcaktohej qartë subjekti që doli i pari në këto zgjedhje, përcjell Periskopi.
Mustafa mbaron duke thënë që “vendimin përfundimtar për bashkëqeverisje do ta marrin organet përgjegjëse të LDK-së.
Ky është statusi i plotë në Facebook:
Të nderuar qytetarë
U takuam sot me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, z. Kurti, diskutuam mundësitë e bashkëqeverisjes, LDK- VV, si dy subjekte që dolën fituese në këto zgjedhje.
Në ditët në vijim do të punojmë në përafrimin e objektivave qeverisëse, ndërkaq pasi të përfundojë krejtësisht procesi i numërimit të të gjitha votave dhe të dihet subjekti i parë, do të përpiqemi të gjejmë zgjidhje për mënyrën e participimit në Qeveri.
Vendimin përfundimtar për bashkëqeverisje do ta marrin organet përgjegjëse të LDK-së. IM