Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të bashkëpunojnë për formimin e qeverisë së re.
Zyrtarë të LVV-së në prononcim për “Gazeta Blic” kanë theksuar se presin që këto bisedime të fillojnë sa më shpejtë, por pa dhënë një afat konkret kohor.
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Liburn Aliu ka thënë se vullneti i lëvizjes Vetëvendosje është që sa më shpejtë të fillojnë bisedimet por pa dhënë një date të caktuar.
“Vullneti I Lëvizjes Vetëvendosje është shumë i mire për të nisur bisedimet edhe besoj që e njëjta gjë është edhe nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës” ka thënë shkurt Aliu.
Edhe kandidatja për deputete nga kjo parti Fitore Pacolli, ka theksuar se nuk kanë një datë të saktë se kur mund të nisin këto bisedime por janë të interesuar të nisin sa më shpejtë.
“Nuk kemi akoma një date të saktë por ne si Lëvizje Vetëvendosje jemi të interesuar që bisedimet të nisin sa më shpejtë pasi kemi shumë punë për të bërë dhe shumë gabime për të korrigjuar. Ne jemi duke prit që të fillojmë diskutimet sa më shpejtë me LDK dhe të krijojmë institucionet e Republikës së Kosovës pa ndonjë vonesë. Prej neve nuk ka ndonjë vonesë por kjo varet edhe prej LDK” ka thënë Pacolli për Gazeta Blic.
Qytetarët e Kosovës më 6 tetor iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur 120 ulëset e reja në Kuvendin e Kosovës.
Në këto zgjedhje postin e kryeministrit e synuan 7 kandidatë nga subjekte të ndryshme politike, mes tyre edhe një grua.
Nga rezultatet e deritanishme LVV do t’i ketë 31 deputetë, LDK 30 deputetë, PDK 25 deputetë, AAK-PSD 14 deputetë dhe deputetë e tjerë që janë të rezervuar për komunitete.
Ndërsa koalicioni Nisma-AKR -PD nuk dihet ende nëse do ta kalojë pragun ku deri tani është në kuotën e 4.90 %./Gazeta Blic/