Lajm i keq, gabim i Francës, goditje ndaj aspiratave të rajonit për të hyrë në BE, pasoja tek qytetarët dhe zhvillimet e brendshme në dy vendet. Analistë të pavarur të Tiranës bashkohen në këto cilësime për vendimin e Këshillit Europian, të premten,(18.10.2019) që nuk mori vendim për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Pasojat do të ndjehen më shumë në aspektin social, psikologjik dhe në politikën e brendshme. Në aspektin social do të jetë e vështirë të ketë zgjerim të biznesit vendas apo investitorë të huaj, në aspektin psikologjik do të rritet përqindja e skeptikëve ndaj projektit europian si bashkësi vlerash dhe parimesh, në aspektin e politikës së brendshme bien shanset për një reformim të sistemit politik, për më shumë llogaridhënie dhe në emër të stabilitetit do të vijojë tendenca e personalizimit të pushtetit” thotë Prof.Dr. Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit për Studime Politike.
Edlira Gjoni, analiste e pavarur, drejtuese e Qendrës për Ndikim Publik, në Tiranë, e sheh mosmarrjen e vendimit si një lajm të keq, në radhë të parë për qytetarët.
“Është një fshikullim për qytetarët e thjeshtë, një lëvizje e pamerituar për ta dhe dy vendet. Është një qëndrim që duket si mbështetje për të gjitha forcat e errëta që duan ta lënë pas Shqipërinë si korrupsioni dhe krimi i organizuar, duket se këtyre forcave u jep oksigjen, u shton aftësitë vepruese” thotë Gjoni.
Sipas saj Franca ka gabuar jo vetëm me pengimin për marrjen e vendimit por edhe me idenë e nevojës së BE për të riformatuar strategjinë e zgjerimit pasi kjo do të thotë se duhen shumë vite për të kuptuar dhe vendosur ҫ’duhet bërë.
Franca gjithmonë hezituese
Aleksandër Çipa, analist i pavarur mendon se “Franca në raport me vendet e vonuara te Ballkanit Perëndimor, që tani janë në pikën më të lartë të aspiratës së tyre për të qenë anëtare të BE-se, ka qenë prej kohësh në një pozicion konservator dhe refraktar, veçanërisht ndaj Shqipërisë”.
Kjo situatë po gjeneron zemërim tek qytetarët që “për herë të parë, përdorin gjuhën e mosbesimit, frustrimit, lodhjes“, sipas Edlira Gjonit.
E kjo po ndodh kur Shqipëria dhe BP si rajon janë në stanjacion ekonomik, social e krizë të rëndë besimi institucional. Qëndrimi i BE-së në vend ta shuante, i hodhi benzinë kësaj krize besimi dhe e çoi nga institucionet vendase, tek ato të BE-së.
Sondazhet tregojnë se shqiptarët besojnë më shumë në NATO dhe BE sesa në fe, qeveri, gjyqësor, media, shëndetësi apo parti politike” mendon Edlira Gjoni.
Prof. Dr. Krasniqi dhe Edlira Gjoni bashkohen në opinionin e tyre, se pasojat e mosmarrjes së vendimit për hapjen e negociatave do të shtrihen në gjithë rajonin. “Pasojat e vendimit të Këshillit Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të kenë impakt rajonal.
Ato janë një goditje ndaj aspiratës së vendeve të rajonit për progresin që sjell procesi i integrimit dhe mbështetja europiane ndaj politikanëve të rrymave politike liberale pro perëndimore. Mosmarrja e vendimit dëmton procesin politik midis Prishtinës e Beogradit pasi nuk ka më asnjë garanci se marrëveshjet e rëndësishme politike do të llogariten si investime drejt integrimit, si ndodhi në rastin e emrit me Maqedoninë e Greqinë”, thekson Afrim Krasniqi.
Edhe për Edlira Gjonin pasojat në nivel rajonal pritet të jenë të rënda.
“Sot BE dhe Ballkani janë më larg njëra-tjetrës sesa 5 vite më parë,kur filloi procesi i Berlinit, për t’i dhënë impulse të reja procesit të integrimit europian në BP. Të gjashta vendet e kanë parë procesin e anëtarësimit si busull, si motorin e përpjekjeve për të shkuar përpara. Nëse kjo busull rresht së funksionuari, nëse shtyhet, riformatohet a çfarëdo që t’ia vënë emrin diplomatik, pasojat mund të jenë të rënda dhe tragjike. Paqja dhe stabiliteti mund të qëndrojnë, por të rinjtë jo. Do të ikin, do boshatisin Ballkanin me ritme të larta e ky shpopullim mund të jetë tragjedia e vërtetë. Është pasojë e reagim proteste edhe ndaj këtij izolimi, këtij trajtimi të padenjë që marrin tani edhe nga BE, ku kanë mbajtur shpresa të mëdha dhe që po ua shuan vetë BE, ” thekson Gjoni.
Negociatat – a do të rëndojnë krizën politike në Shqipëri?
“Mos marrja e vendimit për të hapur negociata, në Shqipëri nuk do të shkaktojë krizë politike pasi e gjithë klasa politike ka qenë në thelb e investuar pro një vendimi negativ, për shkak të frikës së saj ndaj një procesi të thellë monitorimi, llogaridhënie dhe standardesh më të larta demokratike.
Në periudhë afatgjatë nëse vijohet e njëjta vendimmarrje, pasojat do të mund të llogarisin forcimin e linjave politike nacionaliste dhe ndofta edhe fetare, si dhe dobësim të partive pro perëndimore dhe lidhjeve tradicionale me disa vende të BE” mendon Afrim Krasniqi.
Partia Demokratike, që drejton opozitën jashtë parlamentare, kërkoi ndërkohë të premten në mbrëmje dorëheqjen e kryeministrit Rama.
“Kërkesa e opozitës shqiptare për dorëheqjen e Kryeministrit Rama është një argument shtesë, një pretekst shtesë pasi Shqipëria prej kaq kohësh karakterizohet nga një realitet politik anormal, që po shtresezon disa pasoja dhe efekte negative në jetën administrative, institucionale, ekonomike dhe shoqërore. Kemi devijim standartesh të cilat kanë sjellë dhe do të shtojnë pasojat” thotë për DW , Aleksandër Çipa, analist i pavarur në Tiranë./DW/