46 specialistë janë punësuar gjatë këtij viti në QKUK, derisa 18 prej tyre kanë shkëputur marrëdhënien e punës, kryesisht për shkak të pensionimit. Drejtorë të klinikave kanë thënë se kanë nevojë edhe për më shumë specialistë, derisa, pavarësisht nevojave për staf mjekësor, nga Oda e Mjekëve është thënë se mjekët po ikin nga Kosova, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Për 9 muajt e parë të këtij viti në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë punësuar 46 specialistë të fushave të ndryshme, derisa po gjatë kësaj periudhe nga QKUK-ja janë larguar 18 specialistë, 15 për shkak se janë pensionuar, ndërsa katër specialistë kanë lënë punën me vetëdëshirë.
Gjatë muajit janar deri në fund të muajit shtator të këtij viti, sipas të dhënave të dërguara nga QKUK-ja për “Zërin”, janë pranuar 11 mjekë specialistë të Anestezionit në Klinikën e Anesteziologjisë dhe të Mjekimit Intensiv, 4 specialistë në Klinikën e Pulmologjisë, dy mjekë specialistë në Klinikën e Oftalmologjisë, një në Klinikën e Biokimisë, një në Ortopedi, një specialist i mikrobiologjisë në Infektivë, një specialist në Urologji, dy embriologë, një fizikan mjekësor në Klinikën e Radiologjisë, një në Klinikën e Onkologjisë etj. Po ashtu gjatë kësaj kohe, për shkak të pensionimit kanë ndërprerë marrëdhënien e punës: një specialist në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve, një specialist në Dermatovenerologji, një mjek specialist në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale, një mjek specialist në Gjinekologji, një në Klinikën e Urologjisë, një surdollog në Klinikën e ORL-së, një specialist në Institut, një specialist te Sëmundjet Ngjitëse etj. Ndërsa nga vetëdëshira ka lënë punën një specialist në Kirurgjinë Abdominale, një specialist në Klinikën e Gastroenterologjisë dhe dy në Klinikën e Anesteziologjisë dhe të Mjekimit Intensiv.
Zyra për informim në QKUK ka thënë për “Zërin” se numri i specialistëve që punësohen dhe kërkojnë punësim në QKUK është shumë më i madh i krahasuar me specialistët që lëshojnë punën.
Drejtorët e klinikave në QKUK shprehin nevojën për më shumë specialistë
Edhe pse gjatë këtij viti rreth 50 specialistë janë punësuar në QKUK, ende shprehet nevoja për staf shtesë.
Drejtor të klinikave kanë thënë disa herë për gazetën se kanë nevojë për specialistë dhe për infermierë.
Drejtori i Klinikës së Otorinolaringologjisë në QKUK, Hajdin Thaqi, ka thënë për “Zërin” se gjatë këtij viti kanë punësuar dy specialistë të ORL-së. Megjithatë, ai ka deklaruar se ende kanë nevojë edhe për specialistë të tjerë. Thaqi ka bërë të ditur se momentalisht vetëm një specialist i ORL-së është i papunësuar dhe se për atë kanë shpallur konkurs, shkruan tutje gazeta “Zëri”.
“Janë punësuar dy specialistë të ORL-së. Kemi nevojë edhe për specialistë të tjerë, por nuk ka specialistë, të gjithë të tjerët janë të punësuar. Një ka qenë i papunësuar dhe është shpallur një konkurs tani kohën e fundit. Përndryshe, nga ORL-ja nuk ka specialistë të papunë”, ka theksuar ai.
Edhe nga Klinika e Neonatoligjisë janë shprehur se kanë nevojë për staf shtesë. Drejtori i kësaj Klinike, Xhevdet Gojnovci, ka thënë ditë më parë për gazetën se ndonëse kanë punësuar disa infermierë, edhe më tej kanë nevojë për më shumë staf mjekësor, duke përfshirë këtu edhe specialistët.
Në anën tjetër sa i përket raportimit që “Zëri” ka bërë një ditë më parë në lidhje me stomatologët, të cilët janë të papunë dhe të cilëve nuk po u ofrohen mundësi për t’u punësuar në institucionet publike shëndetësore në vend, nga QKUK-ja kanë thënë se stomatologët punësohen në Qendrën Klinike Stomatologjike dhe se në QKUK nuk ka stomatolog./ZERI