Ejup Llumnica
Njëra nga skuadrat që e nisi më së keqi edicionin e ri në futbollin e Kosovës pa asnjë dyshim është Vushtrria. Pavarësisht se bëri shumë lëvizje duke sjellë lojtarë edhe nga jashtë, si dhe risi në shtabin teknik, rezultatet në tri ndeshjet e para kampione te skuadra vushtrriase munguan, çka bëri që drejtuesit e klubit edhe t’i marrin hapat e parë për ta ndryshuar këtë gjendje, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Tri ndeshje vetëm një pikë, ku humbën me Llapin e Dritën dhe barazuan me Trepçën’89 në fushën e vet, u duk shumë pak për drejtuesit e klubit dhe viktima e parë ishte trajneri Bekim Shotani, i cili u shkarkua me shpresë se gjërat në vazhdim do të ndryshojnë pozitivisht.
Kështu mendon edhe sulmuesi i mirënjohur vushtrrias, Bashkim Shala, i cili e pranon se nisma nuk ishte aspak e mirë, por ai beson se klubi ka forcë të rikthehet dhe se nga ndeshjet e ardhshme edhe fitoret do të vijnë.“Kishim një nismë aspak të mirë të kampionatit nga ana jonë, por mendoj se në këtë pak ka ndikuar edhe orari bukur i vështirë”, ka thënë për gazetën “Zëri” Shala, sipas të cilit skuadrës i duhet edhe pak kohë derisa të komponohet.
“Na duhet edhe pak kohë sa i përket adaptimit-përshtatjes së lojtarëve në ambient të ri. Besoj që jemi duke e përmirësuar lojën, jemi duke punuar çdo ditë e më shumë për rezultate më të mira”, ka nënvizuar sulmuesi vushtrrias, i cili ka thënë se ata këtë ia kanë borxh qytetit të tyre. “Qyteti jeton për futbollin dhe nuk kemi arsye të tjera, përveç angazhimit maksimal në çdo ndeshje, ia kemi borxh edhe kryetarit të klubit, i cili na qëndron afër për çdo gjë”, ka thënë ish-futbollisti i shumë skuadrave kosovare, i cili edicionin e kaluar ndihmoi Ferizajn të shpëtojë nga rënia dhe këtë gjë beson se do ta bëjë edhe me Vushtrrinë, objektiv kryesor ky i kësaj skuadre. “Ka kaluar vetëm java e tretë dhe shumëçka mund të ndryshojë deri në fund. Tash për tash synimet janë pjesa e epërme e tabelës aty ku mund të mbesim të qetë sa i përket mbijetesës. Gjithsesi kjo mund të arrihet vetëm me një angazhim dhe përkushtimin maksimal të çdo lojtari në fushë”, ka përfunduar Bashkim Shala.
Stërvitjeve të skuadrës së Vushtrrisë, pas largimit të trajnerit Bekim Shotani janë dukur i prirë dyshja Fitim Llapashtica e Liridon Ahmeti, derisa gazeta “Zëri” mëson se brenda 2-3 ditëve edhe do të përcaktohet trajneri i ri.
Vushtrria ndeshjen e ardhshme e zhvilloi si mysafire me njërin nga rivalët direkt në luftën për mbijetesë – Ferizajn dhe pikërisht në këtë ndeshje vushtrriasit po e presin rikthimin e madh./Zëri.info