Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje! për deputet, Hekuran Murati, ka dhënë një intervistë ekskluzive për gazetën “Zëri”.
Riorentimi i strategjive buxhetore dhe rritja e fuqisë blerëse sidomos tek shtresat e varfra, duke hequr tatimin për personat që paguhen deri në 300 euro janë synimet kryesore të Vetëvendosjes, sipas kandidatit për deputet Hekuran Muratit.
E para sipas tij do të behet duke i përmirësuar kushtet për biznes, duke ndihmuar sektorin e IT-së me bursa e grante dhe ndihmesa me kredi afatgjate e kredi të buta për bujqësinë e industrinë.
“Synimi i Vetëvendosjes mbështetet në dy shtylla. Shtylla e parë është riorientimi i shpenzimeve buxhetore, së pari duke i përmirësuar kushtet për biznes, duke u ndihmuar sektorëve strategjikë siç janë sektori i IT-së me bursa dhe me grante për ndërmarrësi, sektori i bujqësisë, sektori i industrisë dhe i përpunimit me kredi afatgjate e kredi të buta përmes Bankës Zhvillimore, pra të gjitha, plus edhe sektori i turizmit rural, përmes investimeve dhe grantit katër, që është paraparë të bëhet”, ka thënë ai për “Zërin”.
Ndërsa, politikë tjetër ka përmendur rritjen e fuqisë blerëse duke hequr nga tatimi punëtorët që paguhen deri në 300 euro e nëse ata paguhen 500, do të paguajnë tatim vetëm për 200 euro. Sipas tij kjo do të bëhet që qytetarit t’i mbesin më shumë para në xhep.
“E dyta, brenda buxhetit që do të bëhet përmes politikave fiskale është rritja e fuqisë blerëse, sidomos te shtresat e varfra, në mënyrë që të rritet cikli ekonomik, duke liruar nga tatimi të gjitha pagat deri në 300 euro. Pra për 300 eurot e para për të gjithë personat, edhe dikush që e ka pagën 500 euro, 300 eurot e para i ka të liruara dhe paguan tatim vetëm për 200 eurot e tjerat. Kësisoj do të mbeten më shumë para në xhepat e qytetarëve e për më tepër”.
“Kjo është hera e parë që një qeveri bën diçka edhe për sektorin privat, sepse indirekt në momentin që shteti nuk merr më tatim për 300 eurot e para, atëherë edhe punëtorët e sektorit privat, qofshin kamerierë, gazetarë ose kushdo qoftë do të kenë më shumë para në xhep në fund të muajit, sepse tatimin që ua ka marrë shteti deri më sot nuk do t’ua marrë”, ka shtuar ai./ZERI

