Lëvizja Vetëvendosje, ka dal me reagim lidhur me përleshjen që ka ndodhur në mes të anëtarit të tyre, Haki Abazit dhe Dardan Molliqajt, kandidat për deputetë nga radhët e koalicionit AAK-PSD, në emisionin Pressing në T7.
Përmes një postimi në faqen e tyre zyrtare, Vetëvendosja ka shkruar se banditët nuk e kanë vendin në debatet televizive.
“Banditët nuk e kanë vendin në debate televizive. Pas emisionit “Pressing” në T7, kandidati i listës së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Haki Abazi është sulmuar rëndë nga kandidati i AAK-së, D. Molliqaj dhe shoqëruesit e tij. Ky sulm banditesk i ka shkaktuar lëndime fizike z. Abazi, dhe për këtë menjëherë kemi njoftuar policinë”, thuhet në reagimin e VV-së.
Tutje në reagim thuhet se “bandat mafioze që kanë kapur shtetin po frikësohen prej ndryshimit që po vjen, prej entuziazmit popullor dhe prej drejtësisë që do të vendoset nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Ata po e shfaqin nervozën e tyre duke shpifur pa u ndalur, e tash edhe duke sulmuar fizikisht. Ata tashmë e kanë traditë sulmin fizik ndaj debatuesve në emisione televizivë”.
Sipas Vetëvendosjes “Publiku nuk e meriton këtë nivel të ulët diskutimi. Kosova nuk e meriton këtë nivel të ulët përfaqësimi. Tash po e kuptojmë se sllogani i tyre propagandistik “guxim dhe dije”, po nënkupton që guximin e paskan banditët, a dijen injorantët”.
Vetëvendosja është shprehur se presin nga policia e që të merret me rastin
“Presim nga policia të marrë masa ndaj tyre. I bëjmë thirrje KQZ-së të largojë nga lista këta persona që po ushtrojnë dhunë. Qëndrojmë në mbështetje të plotë të z. Haki Abazi, dhe të cilitdo aktivist që është sulmuar me dhunën e tyre verbale e fizike”, përfundon reagimi. /Insajderi.com