Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, e ka nisur fjalimin e saj në Ferizaj me shumë entuziazëm duke qenë e bindur se LDK-ja do të dalë fituese më 6 tetor.
“Fitore dhe jo vetëm fitore, por fitore të thellë kanë me pa më 6 tetor krejt Kosova”.
“Kur Ferizaji vendos që të fitojë, s’ka kush që na ndalë. E keni dëshmuar njëherë në vitin 2013 dhe do ta dëshmojmë edhe tash në vitin 2019”.
“Është kënaqësi të kthehem prapë këtu në mesin tuaj në këtë ditë të bukur me diell për të përjetuar së bashku me të gjithë ju shkëlqimin e sigurt të fitores tonë e cila tashmë është e pastër sikur rrezja e diellit të ditës së sotme”.
“Kam ardhur sot me pa dhe nëpërmjet jush me i tregu krejt Kosovës, po në veçanti oponentëve tanë politikë, lartësinë e shpirtit të ferizajasve të cilët njëjtë sikur majat e larta të bjeshkëve të bukura të Sharrit do të bëhen bashkë që më 6 tetor ta lartësojmë emrin e Republikës së Kosovës”.
“Fitorja jonë do të vijë vetëm edhe pas gjashtë ditësh dhe do ta shtyjë përfundimisht në pakthim kohën e errët të keqqeverisjes. Ajo do të quhet kohë e shkuar, derisa të ardhmen do ta ndërtojmë së bashku me ju dhe qytetarët e ndeshëm të këtij vendi sepse LDK-ja është e bashkuar si kurrë më parë për t’ua dhënë qytetarëve të Ferizajit dhe gjithë Kosovë qeverisjen që ata vërtetë e meritojnë”.
Osmani ka folur edhe për çështjen e kufijve duke e cituar presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova, njofton Klan Kosova.
“LDK-ja e mbron idenë e presidentit Ibrahim Rugova për krijimin e një shteti që e respekton angazhimin e secilit”.