Shkruan: Esat Vatovci
Në praninë e një numri të madh dashamirës të librit, në Vushtrri është bërë përurimi i veprës shkencore “(Mos)Përdorimi i shkronjës ë”, vështrim drejtshkrimor në portalet në gjuhën shqipe, i studiuesit të gjuhës Mentor Hajrizi.
Recensuesi i këtij libri shkencor, professor Bedri Tahiri, theksoi me këtë rast se me botimin e këtij libri, tashmë na është dhuruar një botim i veçantë, me vlera të konsiderueshme shkencore-artistike dhe gjuhësore, që deri tani n aka munguar shumë.
“Ky libër i rrallë, që lirishit mund ta quajmë edhe Praktikum i gjuhës shqipe, është një ndihmesë, sidomos për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, për studiuesit, për arsimtarët, pse jo edhe për gjuhtarët e për lexuesit shqiptarë në përgjithësi, e për dashamirësit e gjuhës së pastër shqipe, në veçanti”, tha ndër të tjera në fjalën e tij recensenti i librit, professor Bedri Tahiri.
Ndërkaq, profesor Ilmi Rexhepi, që ka qenë një nga konsulentët e autorit për librin, theksoi se ky libër është i dobishëm sepse ka sjellur rregullat e drejtshkrimit me shkronjën ë, me të cilat përshkruhet përdorimi i kësaj zanoreje.
“Ky libër sjell edhe një mesazh tjetër e që është ai se për ta zotruar standardin e shqipes nuk mjafton vetëm kultura e leximit, por edhe njohuria teorike”, theksoi profesori rexhepi.
Libri ““(Mos)Përdorimi i shkronjës ë”, pjesërisht është përkrahur financiarisht edhe nga drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Vushtrrisë, e për këtë, drejtoresha e kësaj drejtorie, Fatmire Cecelia tha se ndjehen të lumtur që kanë pasur mundësinë të përkrahin autorin e këtij libri, por edhe librave tjerë.
“Në librin që po e përurojmë ka më shumë se të lexuarit. Kontributi i autorit në fushën e studimit të gjuhësisë është shumë i rëndësishëm dhe një mesazh për shoqërinë që këtë rrugë të ndjekin të gjithë”, tha ndër të tjera drejtoresha e DKRS-së, Fatmire Cecelia.
Ndërkohë, veprimtari shumë vjeçar, Mehmet Hajrizi, duke folur për librin, theksoi se është tejet i rëndësishëm, nga se tashmë standardi i gjuhës shqipe është në rrezik dhe me anë të këtyre punimeve shkencore, si kjo e këtij libri konkretisht, bëhet një angazhim në mbrojtje të saj.
Kurse, deputetja e Kuvendit të Kosovës, dhe krijuesja letrare e Vushtrrisë, Xhevahire Izmaku, theksoi se punimi i këtij libri, por edhe angazhimi i autorit në ruajtjen e vlerave dhe cilësive të gjuhës shqipe është i madh, dhe është një shembull i mirë për të gjithë të angazhohen në ruajtjen e këtyre vlerave. Po ashtu, në këtë përurim u lexua edhe recensioni i gjuhëtares nga Shqipëria, Sevi Lami Agolli, për këtë libër. /Vizioni.info/