Anëtari i këshillit bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, ndër tjerash i ka bërë thirrje diasporës që të votojnë në zgjedhjet e tetorit në Kosovë.
Kështu, ai ka kërkuar nga komuniteti shqiptar jo vetëm në Nju Jork, që të marrin pjesë në këtë proces, duke votuar përmes postës.
Ai gjithashtu ka folur edhe për prioritetet që duhet të ketë qeveria e re pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë.
Anëtari i këshillit bashkiak të Nju Jorkut dhe aktivisti i njohur i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Mark Gjonaj, i kërkon qeverisë së re të përqendrohet tek mirëqenia e qytetarëve.
Zoti Gjonaj foli edhe për tarifën prej 100 për qind që Kosova ka vendosur ndaj mallrave serbe. Ai tha se Serbia e përdori këtë si justifikim për t’u larguar nga tryeza e bisedimeve.
Ai është pyetur dhe mbi qëndrimin që qeveria e re duhet të ketë karshi tarifës ndaj mallrave serbe.
Sipas tij, tarifa nuk është shkaktari i vërtetë i pezullimit të bisedimeve mes dy vendeve.
“Nuk ishte Kosova ajo që i ndali bisedimet. Kosova gjithmonë ka qenë në tryezë, Serbia është larguar nga ajo në mes të procesit. Tarifa është e parëndësishme dhe ka shumë pak ndikim në mirëqenien ekonomike në Serbi. U shfrytëzua si justifikim për t’u larguar. Serbia duhet të qëndrojë në atë tryezë në mënyrë që të adresohen çështjet e vërteta. Pavarësia e Kosovës nuk është fituar. Është paguar për të. Është paguar me gjak dhe dekada të tëra diskriminimi”, tha zoti Gjonaj.