Lëvizja Vetëvendosje sot zyrtarizoi Albin Kurtin si kandidat për kryeministër të kësaj partie me 6 tetor.
Pasi e mori besimin e partisë, Kurti përmes një postimi të gjatë ka falënderuar Këshillin e Përgjithshëm dhe ka prekur pikat me të cilat do të merret LVV nëse vjen në qeveri, transmeton Indeksonline.
Kurti në postimin e tij tha se kur të fitoj Vetëvendosja, të gjitha partitë do të bëhen më të mira për shkak se do të rritet standarti me të cilin maten të gjithë.
Tutje, ai tha se me Vetëvendosjen në qeveri, korrupsioni merr fund.
Për më shumë lexojeni postimin e plotë të Albin Kurtit:
Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm, të organit më të lartë të Lëvizjes sonë,
I nderuari kryesues z.Hydajet Hyseni,
Nënkryetar Faruk Mujka,
Sekretare organizative Vlora Haxhimehmedi, dhe
Kryesues i KZP-së, Adnan Rrustemi,
Zonja e zotërinj, motra e vëllezër, shoqe e shokë,
Të nderuar aktivistë,
Të nderuar të pranishëm,
Po jetojmë në një moment definues për të ardhmen dhe historinë tonë.
Vendi ynë është në krizë.
Gati një e treta e popullsisë është e papunë.
Qindra mijëra qytetarë kanë lëshuar vendin.
Ekonomia e ndërtuar mbi tenderë, krim e korrupsion nuk prodhon punë.
Policia, prokuroria, gjykatat e institucionet e pavarura janë kapur nga një bandë të paditurish që njohin vetëm përfitimin personal.
Shkollat janë kthyer në vend ku humbet koha e jo ku fitohet dija.
Tokat tona janë shndërruar në djerrina që s’prodhojnë sepse vjedhen subvencionet për bujqit e produktet nuk mund të shiten në një treg të pambrojtur paçka se thuhet se është i lirë.
Shëndetësinë e kanë kthyer në biznes për t’u pasuruar nga të papunët e të varfrit që sëmuren.
Kurrë s’kemi paguar më shumë për produkte bazë e kurrë s’ka qenë më vështirë të jetosh e të pensionohesh.
Borxhi jonë publik po rritet me shpejtësi për shkak të papërgjegjësisë fiskale, ai është pesëfishuar në tetë vitet e fundit, dhe, për shkak të një qeverisje të dobët e cila taksat e qytetarëve i trajton si pasuri personale duke shpenzuar në kurriz të gjeneratave të reja.
Investimet e huaja kurrë s’kanë qenë më të ulëta për shkak të mungesës së sundimit të ligjit, nivelit të lartë të korrupsionit të lartë e të krimit të organizuar që frikësojnë investitorët vendës e të huaj.
Deficiti jonë tregtar është rritur, ai është rregullisht më i lartë se buxheti i shtetit, pasi nuk kemi një ekonomi që prodhon.
Prokurimi publik është kthyer në një sektor ku politikanët pasurohen shpejt e shumë duke vjedhur në secilin tender e në secilin cent.
Pasuria jonë publike është shitur e shkatërruar nga një bandë e pangopshme e cila po gërryen bjeshkët, po shkatërron lumenjtë e po ndot ambientin.
Institucionet publike janë mbushur me familjarë pa meritë e në baza partiake duke rrënuar administratën publike.
Presidenti i Kosovës, dhe partia që ai ende e realisht e udhëheq, e kanë humbur rrugën në oborr duke falur tokë e duke na e sjellë Serbinë brenda.
Kjo nuk mund të jetë e ardhmja jonë.
E ardhmja jonë duhet të jetë investimi në edukim ku ndërtojmë shkollat e së nesërmes ku fëmijët tanë përgatiten për të konkurruar në një botë të dijes e cila ua hap dyert e mundësive.
Ne na duhet një e ardhme ku investojmë në energji e cila nuk ndot ambientin e vret fëmijët tanë por i jep energji bizneseve e fabrikave që punësojnë.
Një e ardhme ku askush nuk vdes në spital për mungese të ilaçeve.
Një e ardhme ku puna zgjatë 8 orë në ditë me sigurim shëndetësor, me kontratë të punës e me përkujdesje nga shteti.
Një e ardhme ku punëtori më në fund i fiton të drejtat e tij, sepse me VETËVENDOSJE!-n në qeveri asnjë punëtor nuk do trajtohet si objekt i punës por si qytetar punëtor të cilit duhet t’i respektohen të drejtat e dinjiteti i tij.
Një e ardhme ku secili është i barabartë para ligjit dhe ku secilit i ofrohet e drejta e barabartë në mundësi sepse koha kur pushteti e ekonomia punon vetëm për disa familje të privilegjuara përfundon menjëherë e përgjithmonë me Lëvizjen VETËVENDOSJE! në qeveri dhe vjen koha edhe barazisë edhe drejtësisë.
Një e ardhme ku shteti garanton për cilësinë e ushqimit që e blejmë çdo ditë pa frikën se do të helmohemi.
Një e ardhme ku shteti kujdeset dhe i ndihmon prindërit të cilët janë duke luftuar përditë që të sigurojnë një jetë të mirë për fëmijët e tyre.
Një e ardhme ku më në fund kthehen e triumfojnë vlerat bazike në shoqëri sikurse puna e ndershme, sakrifica, dija, kultura dhe shkenca.
Një e ardhme ku ata që vjedhin në dogana duke futur ushqim të pakontrolluar që sëmurin qytetarët, ata që mashtrojnë me naftë duke vjedhur qytetarët, ata që kontrabandojnë ilaçe e ata që i amnistojnë kriminelët, ata që vjedhin në tenderë, që krijojnë pasuri të pashpjegueshme përmes pushtetit e ata që bëjnë evazion fiskal, më në fund dalin para drejtësisë dhe fillon çlirimi i shtetit të kapur.
Një e ardhme ku mësuesi i cili ka punuar tërë jetën duke edukuar brezat e tërë më në fund pensionohet me dinjitet sepse VETËVENDOSJE! do të ofrojë shërbime të cilat ua lehtësojnë jetën pensionistëve me një transport e infrastrukturë më të mirë për të lëvizur, vende rekreative për të pushuar, shëndetësi që kujdeset dhe banim social.
Një e ardhme ku rrisim cilësinë e edukimit në mënyrë që secili që merr një diplomë të ketë të sigurtë një vend pune.
Me VETËVENDOSJE!-n në qeveri korrupsioni qeveritar merr fund. Ne do të sjellim ligje që mundësojnë hetimin e pasurisë së pashpjegueshme të pushtetarëve. Nuk mund të kemi shërbyes publik me rroga të vogla e me fitim të madh. Ligji i ri kundër korrupsionit, ligji i ri për konfiskimin e pasurisë së pashpjegueshme, ligji i ri për regjistrin e partnerëve në sektorin publik do të luftojë edhe korrupsionin edhe krimin e organizuar.
Kjo është e ardhmja që na pret me VETËVENDOSJE! në qeveri, kjo është e ardhme që na pret kur me 6 tetor të gjithë vendosim që të votojmë për ndryshim, vendosim të votojmë me zemër të pastër dhe me mendje kah e ardhmja.
Është moment referendumi 6 tetori: e mira kundër së keqes, e reja kundër të vjetrës, zhvillimi kundër varfërisë, përparimi kundër hajnisë.
Kur të fitojë VETËVENDOSJE! të gjitha partitë do të bëhen më të mira, sepse do të rritet standardi me të cilin maten të gjithë. VETËVENDOSJE! sot e ka tejkaluar vetveten. VETËVENDOSJE! sot është shpresa e Kosovës. Është dera e hapur për të gjithë. Është qeveria e nesërme drejt një shteti që na duhet e që na ka munguar për dinjitet e me barazi për të gjithë.
Të nderuar të pranishëm,
Nuk kemi kohë për të humbur.
Prindi i cili rri natën zgjuar duke bërë llogaritë se si të paguajë faturat në fund të muajit e din që nuk ka më kohë për të humbur.
Bujku i cili mbjell çdo vit arën e tij e kultivon bagëtitë e tij e prapë nuk fiton sa duhet që të shkollojë fëmijët e din se nuk ka më kohë për të humbur.
Prindërit të cilët me lot në sy i thonë lamtumirë të vetmit fëmijë që e kanë për ta dërguar rrugëve të Evropës sepse ekonomia që qeveritë e deritashme kanë sajuar nuk krijon punë e din se nuk ka kohë për të humbur.
Koha është tash, data është 6 tetor, dhe, ndryshimi do të thotë Lëvizje kurse emrin e ka VETËVENDOSJE!.
Koha është tash, sepse për shkak të qeverisjeve të këqija ku na qeverisin njerëz pa dije të cilët kanë cenuar edhe vlerat më sublime në vendin tonë.
Është shkatërruar vlera e edukimit sepse politikanë të korruptuar punësojnë e avancojnë në karrierë njerëz pa dije duke bërë që të dijshmit të shohin shkollimin e tyre me mund e sakrificë si pengesë për zhvillim.
Është shkatërruar vlera e besimit sepse politikanë mashtrues të cilët thonë e bëjnë çdo gjë vetëm për të marrë votën e qytetarëve ju kanë gënjyer aq herë sa ju nuk mund t’i numëroni duke shkatërruar besimin se gjërat mund të bëhen mirë ndonjëherë.
Këta politikanë nuk dinë më shumë se sa të vjedhin, kaq dinë ata. Kaq bëjnë këta keqbërës.
Por me 6 tetor ju keni zgjedhje, në këto zgjedhje ka ardhur mundësia që ju të bëni diçka, të bëni shumëçka, të bëni gjithçka për të ndërruar këtë gjendje, ka ardhur mundësia për të gjithë ju që jeni lodhur duke parë se si gjithçka po shkatërrohet para syve tuaj të kërkoni ndryshim dhe ndryshimi në këto zgjedhje ka vetëm një emër e ai emër është emri që kurrë nuk ju ka lënë vetëm, është Lëvizja VETËVENDOSJE!.
Në këto zgjedhje duhet të ndryshojmë më shumë se qeverinë. Duhet të ndryshojmë edhe shoqërinë.
Banka Botërore thotë se në 13 vite edukim, 5 vite janë të humbura për shkak të mungesës në cilësisë në arsim.
Kjo është e papranueshme. Kjo është e padurueshme.
Prandaj më ndihmoni që të reformojmë sistemin e edukimit dhe të marrim përgjegjësitë që na takojnë për të krijuar të ardhmen që e duam.
Mësuesit duhet të inspirojnë një gjeneratë të re të nxënësve të cilët formojnë republikën tonë; prindërit duhet të punojnë me fëmijët e tyre që të nxisin dëshirën për lexim, për mësim, për studim e për përkushtim.
Pra, në njërën anë, qeveria duhet të bëjë punën e saj duke reformuar sistemin arsimor ku mësimi zgjat tërë ditën dhe rritet cilësia, por prindërit duhet të kryejnë pjesën e tyre të punës, sepse qeveria nuk mundet të ua marrë telefonat e video-lojërat nga duart fëmijëve në mënyrë që ata të bëjnë detyrat e shtëpisë.
Të ndërtojmë një shoqëri me përgjegjësi individuale dhe me përgjegjësi te përbashkëta.
Unë jam gjithashtu i brengosur jashtë mase me mënyrën se si në shoqërinë tonë trajtohen gratë. Në vitin që lamë pas u shënuan qindra raste të dhunës në familje. Kjo është situatë e papranueshme. Ne nuk mund të lejojmë të definohemi si shoqëri e cila nuk trajton në mënyrë të barabartë gratë dhe burrat.
Me mua kryeministër dhe me VETËVENDOSJE!-n në qeverisje do të ketë barazi në të drejta dhe në mundësi.
Statistikat tregojnë se gratë janë duke shkëlqyer në studime më shumë sesa burrat, prandaj koha e paragjykimeve duhet t’i hap rrugë trajtimit të barabartë e me dinjitet.
Ne duhet të mundësojmë politika që të hapin vende të reja të punës në mënyrë që qytetarët të fitojnë pavarësinë financiare; të hapim qendra të rehabilitimit dhe të trajtimit të rasteve të dhunës në familje; të ofrojmë asistencë ligjore për ata në nevojë dhe të investojmë në edukim dhe masa disiplinore në mënyrë që të luftojmë me sukses paragjykimet.
Ne po jetojmë gjithashtu në kohë të çudirave.
Një kohë kur politikanët kërkojnë votat me mirëbesim e me shpresën për ndryshim, por i tregtojnë ato për favore e për përfitim personal.
Një kohë kur të korruptuarit e kriminelët të cilët ju kanë rrënuar e vjedhur të ardhmen tuaj e të fëmijëve tuaj ju premtojnë luftimin e korrupsionit e krimit.
Një kohë kur e keqja është bërë bashkë si kurrë më parë për të shpërndarë frikë e gënjeshtra.
Por koha e tyre tashmë ka mbaruar sepse në këto zgjedhje ju keni një vendim për të marrë.
Ju do të zgjedhni nëse doni që 4 vitet e ardhshme të bëhen sikur 20 vitet e fundit apo doni që bashkarisht të hapim një kapitull të ri.
Fëmijët që dëshirojnë një të ardhme të ndritur në vendin e tyre po thërrasin për një kapitull të ri.
Mjekët, mësuesit, fermerët të cilët po presin këto zgjedhje për të parë nëse duhet të paketojnë edhe ata çantat për të lëshuar vendin, po presin e po duan ndryshim.
Të rinjtë të cilët po presin që t’u hapen dyert e mundësive po ashtu po thërrasin për ndryshim.
Prandaj sot, atyre që na vodhën, na varfëruan e na dëbuan nga vendi jonë unë u themi MJAFTE MË DHE KURRË MË. MJAFT ME DHE KURRË MË me rrena e mashtrime.
Koha e juaj ka përfunduar dhe koha e qytetarit të ndershëm të Republikës që e donë vendin e vet po vjen.
Koha jonë po vjen sepse kësaj here nuk do të lejojmë që të vidhet shpresa për ndryshim.
Andaj mos të ndalemi e mos të vetëkënaqemi sepse ata që ju kanë vjedhur e mashtruar që 20 vite nuk do të ndalen së mashtruari e së vjedhuri përsëri po nuk i ndalëm ne.
Ata tashmë kanë filluar të shpërndajnë gënjeshtra e mashtrime të reja.
Por ju e dini se kush është ndryshimi, ju e dini se kush mund të bëjë ndryshimin e vërtetë në Kosovën që duam.
Në këto zgjedhje ju mund të zgjedhni një të ardhme ku të rinjtë edukohen e punësohen në Kosovë apo një të ardhme ku ata vazhdojnë të ikin apo të duan të ikin.
Ju mund të zgjedhni një të ardhme ku luftohet korrupsioni e krimi i organizuar dhe ku çlirohet shteti nga zaptimi, apo një të ardhme ku vdes shpresa për ndryshim dhe shtetin ua lëmë bandave dhe klaneve.
Zgjedhja është e juaja.
Por mos u mashtroni nga fraza boshe e retorike e thatë, mos u besoni atyre që ju kanë mashtruar vit pas viti e zgjedhje pas zgjedhje.
Sepse sikur asnjëherë më parë vota juaj ka peshë, vota juaj ka përgjegjësi, sepse vendimin që do të marrim me 6 tetor do të përcaktojë jo vetëm të ardhmen tonë, por edhe të ardhmen e brezave që do të vijnë pas nesh.
Andaj mos të hutohemi e mos të ndalemi.
Në zgjedhjet e kaluara shpresa për ndryshim mori 200 mijë vota por na e vodhën ndryshimin.
Prandaj kësaj here do të bëhemi bashkë si kurrë më parë, të rinj e të vjetër, prej Qabrës e Llaushës në Vërmicë, e prej Çakorrit në Han të Elezit, që t’i tejkalojmë edhe 250 mijë vota për ndryshimin e madh që e duam e na duhet.
Prandaj, të dashur aktivistë e të nderuar qytetarë.
Më ndihmoni, më ndihmoni që të fitojmë me një diferencë të madhe në mënyrë që ndryshimi të jetë i madh e fitorja të jetë masive.
Më ndihmoni të çlirojmë shtetin nga kapja.
Më ndihmoni të luftojmë pabarazinë, nepotizmin, korrupsionin e krimin e organizuar.
Më ndihmoni të ndërtojmë një të ardhme ku të gjithë duan të jetojnë në paqe, në siguri e dinjitet.
Flisni me secilin e me të gjithë. Në rrugë e në sheshe, në shtëpi e në lagje, në fshat e qytet, le të bëhemi bashkë për fitoren e madhe.
Sepse bashkë gjithçka, ama bash gjithçka. është e mundur