Albin Kurti është i bindur se Vetëvendosje e ka rrugën e hapur dhe marshon e sigurt drejt 6 tetorit.
Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Tempora” në RTV Ora me gazetaren Sonila Meço, Kurti pret i qetë deri në shpalljen e rezultatit zgjedhor por ka këtë bindje:
“Do të jemi me siguri të parët, do të na nevojitet dhe dikush për partner”.
Bindjen nuk e ka të mbështetur thjesht në përceptim, por statistika.
Albin Kurti: Sondazhet na nxjerrin të parët ne prej kur Mustafa është rizgjedhur kryetar për arsye se në atë kohën për shkak se fraksione të ndryshme brenda LDK besonin se njeriu i tyre do të bëhet. Tash na nxjerrin të parët.U bënë atëherë 12 parti bashkë që të na ndalin tani ato janë shkapërderdhur dhe ne e kemi rrugën hapur.Nuk janë më.
Për fushatën po kujdeset jo vetëm brenda Kosovës, por edhe në Tiranë.
Albin Kurti: Po jemi të interesuar për të gjithë qytetarët nga Shqipëria që kanë edhe nështetësi të Kosovës, ose së paku njërin prind nga Kosova, ose kanë lindur vetë dhe nuk janë shtetas ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar me 6 tetor ku kjo situatë që e keni quajtur historike do të mund të bëhet e tillë me fitoren tonë.
Bashkatdhetarët tanë në mërgatë kanë të drejtë të votojnë për zgjedhjet në Kosovë, shumë nuk e dinë. Besojnë se nëse nuk janë nënshtetas nuk e kanë të drejtë. Komisioni i Zgjedhjeve në Kosovë nuk e ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë për shkak se edhe na kanë penguar në amendimin e ligjit që do të mundësonte të votohej në Ambasadat dhe Konsullatat e Kosovës në botë.
Ata e dinë se çfarë mund të gjejnë në ato kuti votimi.Edhe në Shqipëri ka shumë shqiptarë që vinë nga Kosova, pse jo të mos vinë të votojnë. 1/3 e popullsisë së Kosovës nuk janë më banorë të Kosovës për shkak se kanë emigruar për arsye politike dhe ekonomike në faza të ndryshme.
VV në Tiranë është ende një OJF dhe kjo është hera e parë që Kurti bën fushatë elektorale edhe në Shqipëri.
Albin Kurti: Mund të thuhet ashtu. Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete shumë të ngjashme por e kanë kombin e njëjtë.Nuk ka kuptim që të kufizojmë veprimtarinë tonë vetëm me Republikën e Kosovës aq më tepër kur nuk jemi të kënaqur me nivelin e përkushtimit dhe përgjegjësisë së shtetit shqiptar sa u përket shqiptarëve jashtë territorit të Shqipërisë.