Për vendet e reja të punës, kandidati i PDK-së për kryeministër, Kadri Veseli tha se kanë një projekt për integrimin e të rinjve të Kosovës.
“Nuk do të ketë iniciativë të të rinjve tanë që nuk do ta përkrah”, u shpreh Veseli në Rubikon të KTV-së, shkruan Insajderi.
“Ka me dhjetëra mijëra kërkesa për vende pune në sektorin e IT-së. Arsimin profesional mund ta orientojmë në këtë fushë. Janë 330 mijë djem e vajza në sistemin tonë shkollor. 17 për qind janë me rezultat mbi 4. Duhet t’i orientojmë kah IT-ja. Teknologjia e Informacionit do të jetë ndër prioritetet kryesore. Ministria e Inovacionit do të shkojë në Prizren tek KFOR-i gjerman ku ka qenë”.
“Orientimi do të jetë shumë i fuqishëm në sektorin e prodhimtarisë. TVSH-ja do të merret brenda. Tatimi doganor u kthehet të gjithë prodhuesve me rastin e eksportit. Nëse uji i Pejës e ka paguar këtë shishe, kur e eksporton i kthehet pagesa. Tatimi i akcizës u kthehet po ashtu me rastin e eksportit. Lirim të TVSH-së për të gjitha barnat që importohen”.
Ai foli edhe pronat publike, duke kërkuar nga investitorët të mos blejnë prona sepse, siç tha ai, do t’u jepen në shfrytëzim për 99 vite dhe do të paguajnë vetëm 1 euro për metër katror.
Veseli foli edhe për tatimin ndaj korporatave, duke theksuar se kush ka mbi 3 milionë euro investim, s’do të ketë fare tatim.
insajderi.com

