Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, iu është drejtuar qytetarëve dhe simpatizantëve të kësaj partie që janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë ku po mbahet tubimi i organizuar nga ta.
“Ju falënderoj për pjesëmarrjen madhështore dhe përkrahjen për LDK-në, për përkrahjen e madhe për kandidaten tonë për Kryeministre, Vjosa Osmani, për përkrahjen e madhe për kandidatët tanë për deputetë që do të mbrojnë vlerat njerëzore, që janë cilësi e veçantë e LDK-së”, ka thënë Mustafa, njofton Klan Kosova.
“Jemi mbajtur unik si LDK që jemi familja më e madhe e Kosovës. Kemi marrë vendime të mëdha dhe të rëndësishme për Kosovën, kemi zgjedhur njerëzit më të mirë, kemi ofruar kandidaten më të mirë për Kryeministre dhe besojmë në përkrahjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës që do të dalim partia e parë në këto zgjedhje. E meritojmë, kemi programin më të mirë qeverisës, dije dhe ekspertizë për të qeverisur me vendin”.
“Ju them sot në emër të LDK-së, e nderuara Vjosa me përkushtimin më të madh – LDK ka vendosur ta qeverisë Kosovë në mandatin që vjen dhe s’ka askush që na ndalë. Kërkojmë ta kemi përkrahjen e qytetarëve të Kosovës që ta qeverisim mirë këtë vend që ta çlirojmë këtë vend nga korrupsioni, nga gërryerja e brendshme”.
Mustafa ka thënë se ata mund t’ia dalin që shtetin e Kosovës ta bëjnë shtet të vlerave demokratike.
“Ne do të arrijmë të thellojmë bashkëpunimin me të gjitha vendet e BE-së dhe të bëhemi pjesë e BE-së. Kemi rini evropiane dhe jemi shtet evropian dhe askush nuk mund ta mohojë këtë. Do të thellojmë bashkëpunimin me Amerikën si aleati ynë kryesor”.
Të nderuar qytetarë, ne kemi vetëm një shtet, është Republika e Kosovës, shteti i Ibrahim Rugovës, Ne këtë shtet, në qeverinë tonë as nuk e mbledhin dhe as nuk e pjesëtojmë. Çdo pëllëmbë është territor Republikës së Kosovës dhe i takon Republikës së Kosovës. Ky është qëndrimi i LDK dhe këtë do ta respektojë Qeveria jonë e ardhshme me në krye Vjosa Osmanin”.
“Qytetarët tanë janë të shqetësuar me papunësi. Ju them të rinjve, rrini këtu me Vjosa Osmanin dhe besoni në LDK sepse vetëm duke besuar ne e ndërtojmë shtetin e Kosovës. Ka edhe të tillë që shqetësohen se Kryeministrja jonë a mund të merr vendime”.
“Unë ju them se ajo do të merr vendime të mëdha mbi bazën e ligjit dhe Kushtetutës. Këtu do të jetë dallimi mes saj dhe të tjerëve. Ajo do ta ketë përkrahjen e plotë të LDK-së për këto vendime. Na u bashkoni që të fitojmë bashkë. Ju thërras të gjithëve që me 6 tetor të dalim në zgjedhje dhe të votojmë për LDK-në”.