Skuadra e Vushtrrisë nuk ka filluar aspak mirë edicionin e ri në Ipko Superligën e Kosovës dhe tashmë ndryshimet duhet të vijnë pasi gara po fillon të bëhet gjithnjë e më e ‘nxehtë’.
Klubi i Vushtrrisë numëron vetëm pesë pikë pas shtatë xhirove dhe ndodhet në pozitën e parafundit në renditjen tabelare, gjë e cila nuk po i pëlqen vushtrriasve, raporton GazetaBlic.
Pas startit të keq me trajnerin, Bekim Shotani, drejtuesit e klubit filluan ndryshimet direkt tek stoli, ku angazhuan trajnerin e njohur italian, Antonio Toma.
Skuadra tashmë po mendon edhe për rolet tjera të kryesisë, për shkak të organizimit sa më të mirë të mundshëm, pasi nuk ka kohë për të humbur. Siç dihet në këtë edicion të Superligës nga elita do të bien katër skuadra dhe kjo me shumë gjasë e ka shtyer klubin që të fillojë të mendojë më seriozisht – pasi qëndrimi në Superligë do të jetë goxha i vështirë.
Sipas burimeve jozyrtare të ‘GazetaBlic‘, drejtuesit e klubit të Vushtrrisë janë në bisedime me trajnerin e njohur kosovar, Bylbyl Sokoli.
‘Profa’ është në bisedime me klubin e Vushtrrisë dhe pas disa ditësh mund të marrë një rol tek klubi i njohur kosovar.
Sipas burimeve, Sokoli ka dy oferta në tavolinë, atë të drejtorit sportiv të skuadrës dhe atë të drejtorit të Akademisë së klubit. Palët kanë qenë në kontakte në ditët e kaluara dhe me shumë mundësi gjatë kësaj jave do të vijë edhe zyrtarizimi i pozitës së Sokolit në klubin e madh kosovar, Vushtrria.
Vlen të theksohet se Sokoli para pak ditësh ka dhënë dorëheqje nga pozita e krye-trajnerit të Prishtinës, për shkak të problemeve shëndetësore.
/GazetaBlic/