Prokuroria Speciale e Kosovës në aktakuzën e re për rastin e Veteranëve, ka hequr nga lista e veteranëve të rrejshëm 738 emra.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati për Periskopin ka konfirmuar lajmin duke thënë se kanë marrë informacione se Prokuroria ka larguar nga lista e veteranëve të rrejshëm mbi 700 emra/
Gucati tha se ky veprim i Prokurorisë është një shenjë e mirë për fillimin e një pune, ku siç thotë ai edhe pse me vonesë por sipas tij “më mirë vonë se sa hiç”.
“Për atë që keni parë në media kemi parë edhe ne. Po Prokuroria ka larguar mbi 700 emra, kjo për ne është një lajm shumë i mirë si organizatë sepse Prokuroria veç ka fillu me punu duke i pastruar listat e rrejshme të veteranëve. Edhe pse ky veprim është me vonesë por më mirë vonë se sa hiç”, tha Gucati për Periskopin
Kujtojmë se para një viti Prokuroria kishte ngritur aktakuzën e parë të rastit Veteranët kishte përfshirë hiç më pak se 20.238 emra që marrin kundërligjshëm pension të veteranit të luftës.
Për këtë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte ngritur aktakuzë kundër: Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari./Periskopi

