Një vjedhje në të cilën hajnat përdorën edhe armë të gjata, madje me to gjuajtën policinë, tmerruan qytetarët e Shtimes, mëngjesin e sotëm. Policia nuk e di se çfarë dëmi ata i sollën bankës, por e kanë gjetur veturën me të cilën u krye vjedhja.
Banorët e Shtimes, u tmerruan nga një grabitje e cila ndodhi në këtë qytet, e që ngjau me filma aksion.
Daut Beqaj ka thënë se kjo ngjarje i ka traumatizuar fëmijët e tij. Ai thotë se nuk po ndjehen të sigurt as gjatë ditës.
“Kanë ardhur këtu me një veturë të kuqe dhe kanë gjuajtur nja tri herë me armë para derës sonë. Fëmijët më janë frikësuar shumë, po ashtu edhe gruaja. Një çikë ka qenë duke u larë në banjo në ato momente dhe është traumatizuar shumë pasi nuk e ka ditur çfarë po ndodh. Nuk po jemi të sigurt në këtë vend. Derën nuk guxojmë ta lemë të hapur. Edhe fëmijëve iu kemi shti trauma. Këto gjëra janë bërë të përditshme”, shprehet për RTV Dukagjinin, banori Daut Beqaj.
Sipas policisë, katër persona të panjohur kanë grabitur me armë të gjata zjarri këtë bankë në orët e mëngjesit.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Agim Gashi ka thënë se është gjetur vetëm vetura e grabitësve.
“Policia është vënë në ndjekje të personave të dyshuar. Diku në fshatin Jezerc ka pasur përsëri gjuajtje me armë nga ana e të dyshuarve në drejtim të veturës së policisë, por fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar. Pas një kohe, gjatë hetimit të rastit është gjendur edhe vetura e braktisur, e ndezur nga personat e dyshuar. Më të janë duke u marrë njësitet e forenzikës për ekzaminimin dhe mbledhjen e fakteve. Për momentin jemi duke vënë të gjitha njësitet në aksion për identifikimin e personave të përfshirë në rast dhe arrestimin e tyre”, deklaroi Agim Gashi.
Policia ka njoftuar se dy punëtore të kësaj banke kanë kërkuar trajtim mjekësor. Gjithashtu, ende nuk është bërë i ditur, dëmi që i është shkaktuar kësaj pike financiare.
Ndërkohë kanë reaguar edhe Shoqata e Bankave të Kosovës. Ata kanë kërkuar nga organet e rendit që sa më parë të sjellin para drejtësisë kryerësit.