Pas ndeshjeve të mbrëmshme kualifikuese të “Euro 2020”, prestigjiozja italiane, “Gazzetta dello Sport” ka bërë një analizë të saj, duke evidentuar ato kombëtare, që i quan “Hirushe”, të cilat ëndërrojnë të jenë në finalet e Kampionatit Evropian të vitit të ardhshëm. Këtu përfshin edhe Kosovën, e cila u mund pas 14 ndeshjesh radhazi në fushën e Anglisë, por edhe Armeninë, që është në grupin e Italisë.
Ja analiza e saj:
“Ashtu si e “Hirushes” duket historia e deritanishme e një pjese të skuadrave të vogla kombëtare, që ëndërrojnë goditjen e madhe, kualifikimin e befasishëm në Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm.
Me renditjet e grupeve në dorë, në fakt, mund të evidentojmë 3 skuadra kombëtare “të vogla” që, 4 xhiro (ndeshje) nga përfundimi i kësaj faze eliminatoresh, janë plotësisht në garë për një vend në finalet e “Euro 2020”.
FINLANDA APO ARMENIA? – Le ta fillojmë nga grupi J, ai i Italisë. Ndërsa italianët kanë pikë të plota, po e mbrojnë me siguri vendin e parë, pas tyre një luftë e ethshme po zhvillohet mes dy skuadrave për vendin e dytë. Ato nuk janë kualifikuar kurrë për fazën finale të një Kampionati Evropian: Finlanda dhe Armenia. Finlandezët, të udhëhequr nga Pukki, kanë 12 pikë dhe mbajnë aktualisht vendin e dytë. Kjo, si rezultat i 4 fitoreve dhe 2 humbjeve (kundër Italisë). Armenët, të ardhur nga një humbje me nder ndaj kombëtares së Mancinit dhe një fitore e madhe ndaj Bosnjës së Dzekos e Pjanicit, e ndjekin me 9 pikë. Përplasja direkte është planifikuar në Turku, më 15 tetor. Tri ditë para kësaj sfide, Armenia do të shkojë në Lihtenshtajn dhe Finlanda në Bosnje. Muaji tjetër do të jetë, pra, momenti i së vërtetës, kur do të qartësohen më tej gjërat. Do të nxiten apo do të zbehen shpresat e Mkhitaryan me shokë? Kjo mbetet për t’u parë. Bosnja dhe Greqia (kanë 7 dhe 5 pikë për momentin) do të përpiqen të luajnë shansin e fundit, për t’u rikthyer në lojë.
KOSOVA – Nga njëra anë në tjetrën, nga Grupi J në Grupin A. Ndërsa Anglia vrapon si kokë grupi, lufta për vendin e dytë përfshin edhe Kosovën e vogël. Kjo e fundit minoi shanset e Republikës Çeke, së fundi. Kombëtarja kosovare, në të cilën militon midis të tjerëve Valon Berisha i Lazios, përfaqëson një shtet të lindur 11 vite më parë dhe jo plotësisht të njohur nga bashkësia ndërkombëtare. Kush e forcon më shumë imazhin gjeopolitik se rezultatet e kombëtares së këtij shteti ballkanas? Kosova është e treta në grup, me 8 pikë, vetëm një pikë mbas vendit të dytë, Republikës së Çekisë. Ecuria prej 14 ndeshjesh radhazi pa humbje u prish vetëm mbrëmë, në Angli (5-3). Xhiroja tjetër e këtyre kualifikueseve do të paraqesë një mundësi të mrekullueshme për “Dardanët”. Republika Çeke do të ketë punë me Anglinë e fortë, ndërsa Kosova do të presë Malin e Zi (teorikisht, kundërshtar më i përballueshëm).
Më pas, më 14 nëntor, menyja e xhiros së parafundit të fushatës eliminatore do të rezervojë përplasjen e drejtpërdrejtë në Plzen, pasi ndeshja e parë, të shtunën e kaluar në Prishtinë, përfundoi me suksesin kosovar 2-1. Një kombëtare e formuar zyrtarisht vetëm në vitin 2016, e cila mund të kualifikohet në Kampionatin Evropian që në provën e parë. Kjo është Kosova.
IRLANDA VERIORE – Më në fund, po flasim për një ekip kombëtar, që tashmë e ka provuar shijen e kualifikimit në finalet e “Euro 2016”, ku madje kaloi fazën e grupeve dhe u eliminua në raundin e dytë nga “kushërinjtë” e Uellsit: Irlanda Veriore. Pse ta përfshijmë atë në kategorinë e “Hirusheve”, atëherë? Thjesht shikoni dy gjigantët e mëdhenj, që po rivalizojnë për finalet e “Euro 2020” në Grupin C: Gjermania dhe Holanda. Kombëtarja e Irlandës Veriore i ka fituar të gjitha, 4 ndeshjet, kundër “bishtit” të grupit të vet, Estonisë dhe Bjellorusisë, duke siguruar kështu një thesar prej 12 pikësh. Ato do të përpiqet t’i shtojë e mbrojë me “thonj” e “dhëmbë” në ndeshjet vijuese, kundër dy të mëdhenjve: Gjermanisë dhe Holandës. Renditja është si vijon: Gjermania dhe Irlanda Veriore ndajnë dy vendet e para me nga 12 pikë, Holanda ndjek me 9 pikë, por me një ndeshje më pak.