Ne duhet t’u sqarojmë qytetarëve në Kosovë dhe Serbi se një marrëveshje e cila ndoshta mund të mos i pëlqejë është në interesin e tyre më të mirë.
Kështu tha senatori amerikan Ron Johnson, i cili vizitoi Kosovën dhe Serbinë në javën e kaluar.
Johnson i tha shërbimit ukrainas të Zërit të Amerikës se i takon udhëheqësve në Kosovë dhe Serbi të vendosin nëse ata mund të arrijnë një marrëveshje.
“Ajo që mund të them është se kjo është vizita ime e katërt në rajon, që jam takuar me të dy presidentët, presidenti Vuçiq në një konferencë të përbashkët për shtyp tha se kjo është hera e nëntë që kemi takuar. Unë kam qenë mjaft i angazhuar në këtë çështje në vitet e kaluara” .
Sipas tij, si Prishtina ashtu edhe Beogradi presin “udhëheqje më të madhe amerikane” në negociata.
“Unë mendoj se do t’ua ofrojmë atyre, por jo në aspektin e imponimit dhe presionit, por vetëm në mbështetje të përpjekjeve të tyre dhe në krijimin e kushteve,” në të cilat ata do të jenë në gjendje të mbështeten në përkrahjen e SHBA dhe BE, pasi të arrijnë një marrëveshje, transmeton Klan Kosova.
Ai shtoi se është e nevojshme të theksohet për të gjithë qytetarët në Kosovë dhe Serbi “se një marrëveshje është në interesin e tyre më të mirë dhe se do të përfitojë shumë, për sa i përket integrimit të mëtutjeshëm në ekonominë evropiane, lirinë më të madhe të udhëtimit, një ekonomi më të suksesshme, sepse pasi të arrihet një marrëveshje, do ta bëjë më të lehtë tërheqjen e investimeve të huaja “, transmeton Klan Kosova.