Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, i ka kërkuar homologut të tij nga India që ky shtet ta njeh Republikën e Kosovës.
Cakaj përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se në qendër të diskutimeve me me Ministrin e Punëve të Jashtme të Indisë, Subrahmanyam Jaishankarishte domosdoshmëria e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe nevoja për mbështetjes së saj në mekanizma ndërkombëtarë.
Postimi i plotë i Cakajt:
Sot, mes shumë të tjerash, zhvilluam edhe një takim të veçantë dypalësh me Ministrin e Punëve të Jashtme të Indisë, z. Subrahmanyam Jaishankar.
Vlen të theksohet se në qendër të diskutimeve ishte domosdoshmëria e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe nevoja për mbështetjes së saj në mekanizma ndërkombëtarë.
Mbështetja e konsolidimit të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës është elementi qendror i politikës së jashtme të Shqipërisë në rajon.
Natyrisht, duke pasur parasysh faktin se India është një prej shteteve me zhvillimin më të hovshëm në botë, bashkëpunimi dypalësh mes vendeve tona po ashtu mbetet shumë i rëndësishëm.
Në takim, ndër të tjera, ramë dakord edhe për përmbylljen përfundimtare të një varg marrëveshjeve në fushën e sigurimeve shoqërore, promovimit dhe mbrojtjes së investimeve dhe transportit detar. Ky kuadër i marrëveshjeve do të ketë një rol domethënës në konsolidimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Indisë.
Po ashtu, India konfirmon mbështetjen për kandidaturën e Shqipërisë për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit 2022-2023.