Imami kosovar Drilon Gashi të cilin Bashkësia Islame e Kosovës me vendim të Myftiut Naim Tërnava e shkarkoi me datë 29 gusht 2019, në një intervistë për Gazetën Express ka folur rreth vendimit të BIK-ut për shkarkimin e tij si imam në xhaminë e fshatit Vitomiricë të Pejës.
Imami Gashi ka thënë se BIK-u është rreshtuar krah organizatave ekstremiste që nuk pranojnë mendimin ndryshe. Ai ka treguar tri nga nga arsyet pse Bashkësia Islame e Kosovës e suspendoi nga puna.
Gashi është shprehur se një jofetar i drejtë është më i mirë te Zoti se një mysliman zullumqar. Ai po ashtu ka thënë se nuk beson se drejtësia në Kosovë do të vendosë në favor të tij edhe nëse i padit BIK-un në gjyq. Gashi ka deklaruar se pas suspendimit nga puna do të pres liberalizimin e vizave për të ikur nga Kosova.
I pyetur se a do të ndërmerr masa ligjore kundër vendimit të BIK-ut për përjashtim nga puna imamu u përgjigj:
“Jam i zhgënjyer edhe prej drejtësisë në Kosovë. Unë para një kohe, kur më suspenduan, bëra një ankesë në Inspektoriatin e Punës, por ajo mu kthye negative.Edhe nëse do t’i padis në gjyq për mohimin e të drejtës dhe lirisë individuale të shprehjes, nuk besoj që do të ketë ndonjë efekt. Jam i martuar dhe kam pas vetes edhe tre fëmijë. Deri më tani po jetoja me qera. Nuk shoh më asnjë perspektivë në vendlindjen time, përpos atë ditë kur të bëhet liberalizimi i vizave, edhe të iku diku larg, siç emigroi edhe vëllau im”, u shpreh imami.