Edhe pse është ende shumë larg ndërtimit, madje për shumëkënd edhe pa shpresa se mund të bëhet në një të ardhme të afërt, politikanët kosovarë vazhdojnë me tone të ashpra të diskutojnë rreth stadiumit nacional të futbollit. Tash kur zyrtarisht ka nisur fushata zgjedhore për zgjedhjet nacionale, temë e diskutimit është bërë edhe stadiumi nacional i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, shkruan Zëri.info.
Për Federatën e Futbollit të Kosovës stadiumi nacional është i domosdoshëm dhe ai duhet të bëhet.
Ky institucion krejt çfarë dëshiron nga pushteti është që stadiumi të bëhet sa më shpejt pa marrë parasysh ku, vetëm të jetë në territorin e Kosovës. Numri një i Federatës së Futbollit të Kosovës në një bisedë për gazetën “Zëri” ka qenë shumë i qartë: FFK-ja e do stadiumin të ndërtuar, kaq!
“Për neve është e rëndësishme që të bëhet stadiumi sa më parë. Nuk ka rëndësi se ku bëhet. E rëndësishme është që të bëhet brenda territorit të Kosovës”, ka thënë shkurt kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, për gazetën “Zëri”.
Stadiumi nacional pritet të ndërtohet me një kapacitet prej 30 mijë ulësesh, ndërsa do ta kapë vlerën prej 50 milionë eurosh. Stadiumi është paraparë të jetë gati deri në vitin 2021, por ndryshimi i qeverive në Kosovë mund të bëjë që edhe lokacioni i tij të ndërrohet.
Gazeta ka provuar që bisedojë edhe me Drejtorin e Departamentit për Sport në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ibër Alaj, por kontakti me të ka qenë i pamundur.