Koalicioni mes Lidhjes Demokratike të Kosovës e Lëvizjes Vetëvendosje ka nisur të bëhet i pamundur pas kushtit të LDK-së që këto dy parti të garojnë me Vjosa Osmanin si kandidate e përbashkët për kryeministre. Dështimi i koalicioni LDK-LVV, sipas analistëve, mund të sjellë një PAN të dytë në skenën politike të Kosovës, shkruan sot gazeta Zëri.
Lexo edhe: Dështimi i koalicionit LDK-LVV mundëson një PAN të dytë
Analisti politik Mazllum Baraliu është shprehur për “Zërin” se kushtet që LDK-ja ia ka vënë Vetëvendosjes për koalicion parazgjedhor janë të dëmshme, pasi që, siç thotë ai, japin mundësi për krijimin e blloqeve tjera, të cilat do t’i rrezikojnë pozicionet e këtyre dy partive. Megjithëkëtë, Baraliu thekson se këto dy subjekte politike me vota mund ta përcaktojnë se cilës i takon kryeministri. “Nuk është mirë që të vendosen këso kushtesh, do të ishte më mirë që këto parti opozitare të shkojnë me një koalicion parazgjedhor, por pa nominuar kandidatë, pastaj varësisht votave të këtyre subjekteve që do t’i kenë pas zgjedhjeve të merren vesh në mënyrë parimore që partia me më shumë vota ta ketë Qeverinë”, ka thënë Baraliu.
Ai thekson që në rast se LDK-ja dhe Vetëvendosja nuk merren vesh për të garuar bashkërisht në zgjedhje do t’i rrisin gjasat që të përsëritet një PAN i dytë ose një koalicion i ngjashëm me të. “Në rast të dështimit të këtij koalicioni mund të përsëritet koalicioni PAN ose edhe ndonjë tjetër, pasi që tashmë janë tri-katër blloqe të cilat mund të kenë përafërsisht peshë të barabartë për nga votat. Dhe po, mund të përsëritet edhe një PAN i dytë ose i ngjashëm me të. Prandaj Vetëvendosja tani në situatën që gjendet para aktit të kryer, kur LDK-ja tashmë e ka nominuar kandidaten për kryeministre dhe e ka kushtëzuar koalicionin, duhet të mendojë strategjikisht, duke vënë para interesit të partisë e liderit të saj interesin e shtetit”, ka thënë Baraliu.// ZERI