Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk mund të jetë i plotë pa Ballkanin. Ai ka thënë se deri më tani, sfidë në rajon mbetet vetëm normalizimi i raporteve mes Kosovës e Serbisë – raporton Periskopi.
Thaçi, i cili po merr pjesë në Forumin “To be Secure” në Mal të Zi, ka thënë se me sfidat e njëjta me të cilat përballet Ballkani, janë përballur dikur edhe shtetet që tani janë në Bashkimin Evropian.
“Bashkimi Evropian s’mund të jetë i plotë pa Ballkanin. Të gjitha ato shtete të BE’së kanë pasur sfida të tilla, por i kanë tejkaluar. Sa më afër tyre që jemi, aq më shumë mësojmë. Nuk duhet lejuar këtë mosveprim konkret të Bashkimit Evropian. Kurrë Ballkani më mirë s’ka qenë. Tash të gjithë komunikojmë me njëri tjetrin. Të gjitha vendet i kemi tejkaluar sfidat e shtetësisë. Tash mund të flasim për çështje tjera, si zhvillimi ekonomik”, ka thënë Thaçi.
Thaçi, tutje ka thënë se është fat që Kosova ka ndërtuar raporte të mira me vendet fqinje.
“Tek ne ka qenë shumë e diskutuar çështja e Demorkacionit me Malin e Zi. Por, zyrtarët e Malit të Zi kanë treguar durim me ne. Edhe me Maqedoninë kemi raporte të mira. Sfidën e madhe e kemi në raportet me Serbinë. Normalizimi i raporteve mes dy vendeve arrihet më shpejt, nëse na bashkojnë më shumë BE’ja. E jo të na izolojnë e diskriminojmë siç po bëhet në Kosovë. Nëse vazhdojmë të jemi të izoluar, do të ketë edhe ide populiste e kundër frymës euroatlantike. Së paku me qenë më të shpejt, dhe më e prekshme e ardhmja evropiane për Kosovën, përndryshe rriten idetë që merren me të kaluarën. Njerëzit në Kosovë do të fillojnë të mendojnë se ne po i duam, por BE’ja s’po na do neve. Askush s’mund të arsyetojë mosliberalizimin e vizave. Raportet e fjalët janë edhe më 2019, si të ishin kopje e vitit 2008. Unë e kuptoj se pesë vende s’e kanë njohur Kosovën. E kuptoj këtë. Por, përderisa BE po vonohet me Kosovën, mund të ketë fuqizim të ideve që nuk përkojnë me frymë euroatlantike”, ka thënë Thaçi tutje./PERISKOPI