Ndonëse kishin paralajmëruar se do të japin dorëheqje në momentin që rizgjidhen përsëri, kryetarët e komunave veriore (Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut) nuk kanë pranuar as të betohen para flamurit dhe para simboleve të Republikës së Kosovës. Ata nuk janë paraqitur të enjten në seancën solemne në Kuvendin Komunal të komunave përkatëse, me ç’rast seanca është shtyrë për një afat të pacaktuar. Këtë gjë e ka konfirmuar për “Zërin” zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, Bashkim Cimili, i cili ka thënë që betimi i tyre pritet të ndodhë ditëve në vijim, shkruan Gazeta “Zëri”.
Ndërsa e kontaktuar për këtë çështje, ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Adriana Hoxhiq, për “Zërin” ka thënë që mosbetimi i të zgjedhurve për kryetarë të komunave veriore nuk është brengosës, pasi që ata kanë afat ta kryejnë këtë proces deri më 27 qershor.
“Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme që kanë ndodhur në veriun e Kosovës KQZ-ja ka certifikuar rezultatet e këtyre zgjedhjeve më 27 maj dhe nga kjo datë është afati që të kryhet betimi, i cili është obligim i kryetarëve të zgjedhur, 30 ditë nga data e certifikimit të rezultateve. Kjo që ka ndodhur të enjten, pra mosparaqitja e kryetarëve për të dhënë betimin për pozitat e tyre nuk është brengosëse, sepse kanë afat deri më 25 qershor të këtij viti”, ka thënë ajo në një prononcim për “Zërin”.
Betimi i kryetarëve të sapozgjedhur sipas saj është tejet i nevojshëm për t’u rifunksionalizuar tërësisht shërbimet komunale në këto komuna. “Shpresoj që ata do të japin betimin, sepse është shumë e nevojshme që ta përmbyllim këtë proces. Qytetarët kanë nevojë për shërbime komunale sa më efektive dhe komuna nuk është e kompletuar pa kryetarët e këtyre komunave”, ka theksuar ajo. /ZERI