Mediat serbe kanë përcjellë gjatë ditës njoftimet e burimeve të tyre për mundësinë e inkuadrimit të drejtpërdrejt në dialog të kancelares Merkel dhe presidentit Macron, në rast se Prishtina heq taksën ndaj mallrave serbe.
Minisamiti në Berlin qe u organizua një javë më parë, shpërfaqi dallimet e theksuara ndërmjet Prishtinës e Beogradit dhe ndermjetësimi i Merkel e Macron për të gjetur zgjidhje u pa si një “spostim” i BE-së nga procesi, që ka “rrëshqitur” në dialog për territore.
Por burimet ndërkombëtare i thane gazetës se presioni mbi palët ka qenë pothuaj i barazpeshuar, marrë parasysh se Merkel dhe Makron i kanë kërkuar presidentit serb Vuçiq që të heq dorë përtundimisht nga ideja për shkëmbim territoresh dhe të heq njëkohësisht edhe ndikimin mbi serbët në veri të Kosovës, me qëllim që të mundësojë integrimin e tyre në Kosovë.
Bëhet e ditur se Merkel e Macron i kanë thënë Vuçiqit se nuk do të ketë rrugë evropiane nëse “normalizimi me Kosovën nuk ndodh së shpejti dhe nëse Serbia nuk heq gjithë mekanizmat e saj nga veriu i Kosovës, duke mundësuar integrimin e serbëve ne institucionet e Kosovës”.
Merkel e Makron kanë kërkuar nga presidenti Vuçiq që të kthehet në tavolinën e bisedimeve dhe “aty të gjejë zgiidhjen për të gjitha çështjet e hapura me Kosovën, përfshirë edhe tregtinë e ekonominë por duke përjashtuar cdo përpjekje për ndryshim kufijsh”.
Një mini-samit i Ballkanit Perendimor u organizua një javë me parë ne Berlin, me ftesë të kancelares Merkel e presidentit Macron. Takimi i Berlinit vlerësoi të arriturat në Ballkan, perspektivën evropiane të vendeve në rajon dhe ngeciet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Një takim tjetër i radhës pritet të zhvillohet më 1 dhe 2 korrik në Paris në përpjekje gjermano-franceze për të zhbllokuar dialogun dhe për t’i dhënë fund zgjidhjeve problematike që kanë destabilizuar rajonin së fundi.