Loriana Kuka është eliminuar nga Grand Slami i Bakusë pasi u mposhtë në rundin e parë nga xhudistja Katie-Jemima Yeats-Brown të dielën në mëngjes.
Britanikja Yeats-Brown e mundi xhudisten kosovare me një rikthim sensacional në sekondat e fundit, duke triumfuar me ippon pasi po humbiste në meçin e tyre në kategorinë -78 kilogramë.
Kuka nuk mundi ta ruajë epërsinë që e krijoi në fillim të duelit dhe e humbi luftën në momentet e fundit, duke u eliminuar qysh në rund e parë.
Kjo nënkupton se Kosova mbeti pa medalje në Baku, pasi dje xhudisti Akil Gjakova zuri vetëm vendin e pestë, duke mos arritur të fitojë medalje.
Gjakova, megjithatë, fitoi pikë për kualifikim në Lojërat Olimpike Tokyo 2020, gjë që Kuka s’e bëri sot./Insporti