Gazeta zvicerane “Tribune de Geneve”, në një intervistë të realizuar në vitin 2015 me liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn, kishte kujtuar faktin se kur ky i fundit kishte punuar në ndërtimtari në qytetin Leysin të Francës gjatë viteve të 80-ta, ishte njohur me nofkën ‘Ujku i Bardhë’.
Në këtë intervistë për gazetën zvicerane, Haradinaj kishte folur për situatën në Kosovë, dhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që sipas tij duhet të përfundonte me njohje reciproke ndërmjet dy shteteve.
Shkrimi i plotë:
Në fund të viteve të 80-ta, Ramush Haradinaj ishte i njohur si ‘ujku i bardhë’ në Leysin, ku punonte në ndërtimtari druri dhe Meili e trajnonte atë në arte marciale. Pas 25 vjetësh mjegulli – nëpër të cilat u bë një prej komandantëve më të famshëm të UÇK-së dhe Kryeministër për një kohë shkurtër nga Dhjetori 2004 deri në Mars 2005 para se të përjetonte një sagë të gjatë ligjore për krime lufte në Hagë, prej të cilës doli i pastër në vitin 2012 – 47 vjeçari është tashmë udhëheqës i partisë kryesore opozitare në Prishtinë, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Si i tillë, ai qartazi nuk i kursen fjalët kundër qeverisë së Isa Mustafës dhe Ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçit.
Pyetje: Si është situata në Kosovë?
Ramush Haradinaj: Keq. Korrupsioni është gjithandej, populli nuk ka vende pune, arsimi ka degraduar, sikurse edhe sistemi shëndetësor. Në vend se të merret me këto, Kryeministri ynë fotografohet në Bruksel me homologun e tij. Zyrtarët e zgjedhur duhet të jenë të përgjegjshëm dhe llogaridhënës. Por, Qeveria e sotshme as nuk është as e përgjegjshme as nuk është duke punuar.
Pyetje: Në aspektin ndërkombëtar?
Ramush Haradinaj: Ballkani nuk është çështje e mbyllur. Vazhdimi i mbajtjes së çështjeve të hapura, sikurse është mosnjohja e Kosovës nga ana e Serbisë, nuk lë hapësirë për politika normale. Është në duar të njerëzve që luajnë me stabilitetin. SHBA-të dhe Evropa duhet të përmbyllin këto çështje të hapura në Ballkan. Kështu që, njerëzit do të mund të merren me probleme konkrete.
Pyetje: Si reagojnë qytetarët ?
Ramush Haradinaj: Ekziston një padurueshmëri e madhe dhe presion i jashtëzakonshëm. Njerëzit janë të lodhur me këtë qeveri që krijon situata tragjike dhe detyron mijëra njerëz të lëshojnë vendin.
Pyetje: A jeni i shqetësuar për revolta sikurse në vitin 2004?
Ramush Haradinaj: Ky rrezik ekziston, prandaj opozita duhet ta luajë rolin e vet dhe të marr përgjegjësitë si kërkesa për zgjedhje të parakohshme.
Pyetje: Duke ju dëgjuar juve, 15 vjet ishin të humbura për shkak të klasës politike. E saktë?
Ramush Haradinaj: Po, mund të thuani ashtu.
Pyetje: Çka u thoni atyre që përshkruajnë Kosovës si një shtet në duart e mafias që është e përfshirë në të gjitha frmat e trafikimit, përfshirë edhe të organeve?
Ramush Haradinaj: Vendi im është duke paguar çmimin për shkak të mungesës së institucioneve të fuqishme pas luftës. Nuk e besoj trafikimin e organeve, por nuk mund të mohoj trafikimin e drogave, prostitucionit. Prandaj, ne duam që t’i forcojmë institucionet. Ekziston edhe një shtet i propagandës, sikurse ështrë Serbia, që kanë axhendën e tyre për të denigruar Kosovën. Ajo që është e nevojshme është të krijohet atmosfera kundër krimit dhe mobilizimi shoqëror jep alternativë.
Pyetje: Nëse ktheheni në pushtet, cilat do të jenë prioritetet tuaja për të zhvilluar vendin?
Ramush Haradinaj: I kemi tre sektorë me potencial të madh: energjetika, bujqësia dhe minierat. Këtu do të vëja përpjekjet e mia. Industria e ushqimit mund të krijojë shumë vende pune. Duhet, po ashtu, të kërkohet ekspertiza nga diaspora. Për shembull, midis Zvicres dhe Kosovës ekzistojnë lidhje shumë të forta në të cilat ne mund të vareshin në zhvillimin e tregëtisë dhe lehtësimin e vendosjes së bizneseve.
Pyetje: A është anëtarësimi në BE ende qëllimi juaj?
Ramush Haradinaj: Po, sigurisht.
Pyetje: Dhe, ribashkim me Shqipërinë, Kushtetuta juaj e ndalon?
Ramush Haradinaj: Kjo Kushtetutë është vendosur në një kohë, por kjo mund të ndryshojë…/INA