Zëvendëskryeministri i vendit, Enver Hoxhaj i cili njëhershit është edhe pjesë e ekipit negociator për bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë, ka reaguar pas kërcënimit të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili ka thënë se shteti i tij ka përgatitur masa të ashpra kundër Prishtinës.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Hoxhaj ka shkruar se Vuçiqi është duke vazhduar me logjikën e vjetër të shantazhimit, raporton Gazeta Insajderi.
“Vuçiq vazhdon të tregojë se nuk kujdeset për normalizimin. Menjëherë para samitit në Paris ai vazhdon logjikën e vjetër të shantazhimit që kërcënon popullin e Kosovës me agresion. Kjo sjellje është e patolerueshme për ne dhe nuk duhet të tolerohet as nga BE”, ka shkruar Hoxhaj.
Vuçiq ka thënë sot se shteti i tij ka përgatitur masa të ashpra kundër Kosovës.
“Kemi përgatitur masa të ashpra kundër Prishtinës, e cila ka vendosur taksën nëntë muaj më herët”, tha Vuçiq në Beograd. “Këto masa do të zbatohen pas takimit të Parisit që do të mbahet në korrik”, ka shtuar ai.
Lidhur me këtë kërcënim ndaj shtetit të Kosovës që ka bërë Vuçiq ka reaguar edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, duke i bërë thirrje që të reflektojë.
“Reflekto Z. Vuçiç! Është koha që të prezantosh vlera evropiane dhe jo qëndrime të cilat i ke prezantuar në të kaluarën, qëndrime këto që kanë shkaktuar tragjedi dhe dhimbje. Shteti i Kosovës është edhe shteti i serbëve të Kosovës, një shoqëri që ne e ndajmë së bashku”, ka shkruar Haradinaj, në profilin e tij në Facebook. /Insajderi.com