Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka thënë se nuk kanë asnjë marrëveshje me AAK-në për ta mbajtur në këmbë Qeverinë e drejtuar nga Ramush Haradinaj.
“Besnik Tahiri më ka thirr dhe më ka kërkuar falje se është keqkuptuar. Më ka thënë se fjalën e ka pasë për buxhetin. Ne kemi pasë kushtet tona për ta votuar buxhetin. Po të mos i kishim ne kushtet tona do t’i kishte Listës Serbe dhe çmimi që do të paguante Kosova do të ishte shumë i madh”.
“Në asnjë mënyrë nuk kemi kurrfarë marrëveshje me AAK-në. Nga fillimi kemi deponuar nënshkrimet për rrëzimin e kësaj qeverie. Kemi thënë vazhdimisht se LDK dhe VV nuk na kanë ftuar, nuk kanë dhënë nënshkrime dhe na kanë akuzuar. Dje thash që mirëpresim këtë iniciativë për të diskutuar shtruar. Me më pyet mua sot është vonë, dje është dashtë të rrëzohet kjo Qeveri. Do të ishte mirë që të dakordohemi menjëherë. Mendoj se duhet diskutuar. Nuk mund të përfundojmë në një koalicion PDK-LDK. Duhet diskutuar modalitetet”, ka thënë Ahmeti, njofton Klan Kosova.
“As LDK dhe VV nuk mendoj se janë të interesuara që ta rrëzojnë Qeverinë me Listën Serbe. Glaukun e dëgjova që thonë se ‘nuk i kemi’ numrat. D.m.th po e përjashtojnë Listën Serbe”.
Ahmeti në Zona B, ka thënë se është i gatshëm që të ulet në tavolinë me Albin Kurtin e Vetëvendosjes dhe Isa Mustafën e LDK-së.
“S’po i besoj kësaj thirrje, por jam i gatshëm të ulem. Vetëvendosje për shkak të problemeve me PSD-në nuk është fare e gatshme të ulet me PSD-në. Nuk kam frikë të ulem me asnjërin prej tyre nëse e kanë përnjëmend interesin e shtetit. Nuk jemi bisht i askujt, ai i Qeverisë, as i LDK-së. Pse ka dashtë të pritet një vit që të shkohet në një takim opozitar”.
“Opozita duhet të synojë rrëzimin e Qeverisë, por nuk është e thënë se opozita është pro çfarëdo vendimi që vjen”.
Ahmeti ka pohuar se Qeveria Haradinaj është e njohur për disa skandale.
“Është një Qeveri me 80 e sa zëvendësministra, me plot skandale përfshirë 53 milionëshin me Bechtel-Enka, që s’e ka rrit pagën minimale, problemet me Telekomin po dihen. Koalicioni PAN nuk i ka bërë mirë këtij vendi dhe është dashur të rrëzohet menjëherë”.