Duhen me mijëra e mijëra faqe të shkruhen për gjyqtarin më të mirë që ka pasur Kosova, Shinasi Berisha, që ndërroi jetë sot në moshën 73 vjeçare, duke pikëlluar të gjithë dashamirët jo vetëm të futbollit.
Ai ka referuar shumë ndeshje në rrafshin ndërkombëtar, po ashtu edhe në elitën e futbollit ish jugosllav dhe skuadrat siç quheshin atëkohë, katërshja e madhe, Hajduk Spliti, Dinamo Zagreb, Partizani i Beogradit dhe Cërvena Zvezda e Beogradit. Ai me 24 maj të vitit 1984 ka referuar finalen me shumë tensione të Kupës së Marshall Titos, mes Cërvena Zvezdës dhe Hajdukut të Splitit, e cila përfundoi me rezultat 0:0, por splitasit fituan kupën pasi me 9 maj kishin fituar me 2:1.
Shinasi Berisha me mençuri e guxim referoi ndeshjen, duke ndëshkuar edhe shumë futbollistët të Cërvena Zvezdës për lojën e ashpër dhe për reagimet të panevojshme si dhe me karton të kuq edhe Xhevat Prekazin e Hajdukut të Splitit për një ndërhyrje të ashpër.