Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova është Europë jo vetëm në gjeografi por edhe në ideologji politike, pasi Europa është destinacioni i vetëm.
Haradinaj këto deklarata i dha në kuadër të shënimit të tre vjetorit të MSA-së, Marrëveshja për Stabilizim Asociim, por duke përmendur që Bashkimi Europian i ka lënë Kosovës plagë, njofton Klan Kosova.
”MSA është kontrata jonë e përbashkët. Janë disa vështëri të ndërlidhura edhe me dialogun, por ne nuk e kemi heq fokusin në zbatimin e MSA-së. Një plagë e mbetur në marrdhëniet Kosovë -BE është mosliberalizimi i vizave. Shpresoj që edhe Qeveritë veç e veç do marrin tani vendim për liberalizim pas votimit në Parlamentin Europian”.
”Kosova nuk eksporton as refugjatë as krim. Por këtu ka rend dhe ligj, ka media të lira. Shpresojmë që Presidenca e Rumanisë të na mirëkuptojë, por nëse jo atëhere unë besoj që në kohën kur BE udhëhiqet nga Finlanda të ndodh liberalizimi”.
Veç kësaj kryeministri Ramush Haradinaj foli edhe për vështirësitë e realizimit të agjendave europiane, për të cilat ai tha se fajtore është shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, njofton Klan Kosova.
”Unë bëra shumë kujdes, që të mos them se cilat janë vështirësitë që Agjenda Europiane ka pengesa për t’u zbatuar por një vështirësi të madhe e kemi nga komisionerja Federica Mogherini për faktin se e ka devijuar dialogun me ndërrim të territoreve”.
”[Federica Mogherini] na ka shkaktuar trauma politike të brendshme e edhe në rajon. Fatkeqësisht një pjesë e energjisë time dhe të qeverisë time është dashur të shkohet atje dhe të kundërshtohet një temë si kjo”, ka thënë Haradinaj, njofton Klan Kosova.