Ambasadori amerikan, Philip Kosnett, gjatë vizitës së tij në panairin universitar “Education USA”, ka thënë se është një mundësi e mirë e studentëve kosovarë që të studiojnë në Shtetet e Bashkuara.
Sipas tij, kjo e dëshmon lidhjen e fortë që Kosova ka me SHBA-të, njofton Klan Kosova.
“Unë dua t’iu them se është kënaqësi të jem këtu në panairin e edukimit dhe të shoh të gjithë ata përfaqësues të universiteteve të ndryshme amerikane duke vizituar Kosovën. Mendoj që gjëja më e mirë e sistemit amerikan është diversiteti i shkollave. Ne kemi universitete të mëdha publike, kemi librari dhe komunitete të kolegjeve, ku mund të filloni për dy vjet dhe të vazhdoni më pas dhe ku mund të ndryshoni kursin e mësimeve”.
“Është kënaqësi për mua të shoh mijëra studentë që kanë ardhur për vizitë sot dhe miliona studentë që janë në SHBA për studime. Shpresoj që këto marrëdhënie të mira mes Kosovës dhe SHBA-ve në edukim të vazhdojnë”.
Panairi i Edukimit është organizuar nga Qendra Amerikane për Këshillim me qëllim që të rinjtë nga Kosova të kenë mundësi të studiojnë në Amerikë.