Publicisti Adriatik Kelmendi ka theksuar se duhet të ndërtohet një koalicion kundër asfaltit.
Madje, sipas tij, kjo edhe duhet të jetë arsye pse duhet protestuar, raporton Gazeta Blic.
Shënimi i plotë i tij:
Koalicion kundër asfaltit, kjo është një kauzë për të cilën duhet të dalim në rrugë!
Ku e vëren më së qarti sa të papjekur jemi si shoqëri është kur e shohim se vlon Facebooku nëse një nëpunës dikund i merr 20 euro ryshfet, kurse nuk na dëgjohet zëri kur 1 miliardë euro planfikohen të investohen sërish në asfalt.
Në vendin ku rreth 30 % të qytetarëve janë të papunë, me 1 miliardë euro do të mund të hapeshin me dhjeta mija vende të reja pune. Nuk do të kishte nevojë që politikanët të na mbanin fjalime patetike në Kuvend me kërkesa që qytetarët të mos e lëshojnë vendin, e në anën tjetër me veprime me interesa krejtësisht të dyshimta, t’i përzënë vetë ata.
Qytetarët duhet të mblidhen në koalicion kundër edhe një autostrade të panevojshme. Partitë politike po tregohen të liga, po kalkulojnë në votat e veta, duke mos dalë kundër një projekti krejtësisht të panevojshëm.
Kosova ka nevojë për investime në cilësi arsimi se fëmijët po na i marrin në qafë, në shëndetësi se kemi vdekshmëritë ndër më të mëdhatë në Evropë, pastaj në prodhimtari, turizëm e fusha të tjera që do të punësojnë njerëz, jo në asfalt të ri.
Rrugë kemi, punë s’kemi!
Thjeshtë, s’po më besohet me çfarë lehtësie merren vendime për investime sa gjysma e buxhetit vjetor të shtetit dhe neve nuk na dëgjohet zëri.
Pak po na e bëjnë sa e meritojmë!
Nëse për diçka duhet mobilizim e protestë edhe në rrugë është që t’i jepet fund shpenzimit krejt jostrategjik të parave tona.
#shpërndaje