Kosova e nis vitin 2019 me ndeshjen miqësore kundër Danimarkës, e cila zhvillohet më 21 mars në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Vetëm katër ditë pas kësaj miqësoreje “Dardanët” e nisin aventurën e tyre evropiane, më saktësish do të përballen me Bullgarinë në ndeshjen e parë në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Evropian të futbollit.
Trajneri më i suksesshëm kosovar, Afrim Tovërlani, i tha “Zërit” se forma e lojtarëve të Kosovës është e jashtëzakonshme, duke e bërë atë optimist për dy ndeshjet e ardhshme.
“Mendoj që forma e lojtarëve tanë është jashtëzakonisht e mirë dhe na bën të jemi optimistë për paraqitje të mira në dy ndeshjet e radhës. Të jem i sinqertë, sa u përket rezultateve në ndeshjen me Danimarkën nuk do të më interesonte shumë rezultati, ndërsa me Bullgarinë më shumë më intereson rezultati se ndonjë paraqitje e shkëlqyer. Të mos harrojmë se këto janë ekipe të niveleve të larta dhe jo si në Ligën e Kombeve, nuk duhet të jemi euforikë dhe t’i vënë në presion futbollistët, sepse mund të digjen”, tha Toki për “Zërin”.
Tovërlani momentalisht nuk është i angazhuar në asnjë ekip. /Zëri.info