Për më shumë se një vit Kosova nuk e ka siguruar asnjë njohje ndërkombëtare të pavarësisë së saj, përderisa Serbia vazhdimisht po njofton për tërheqje të tyre. Opozita dhe analistët politikë thonë se diplomacia kosovare është shumë e dobët dhe e paorganizuar, përderisa në Ministrinë e Jashtme të Kosovës i paralajmërojnë 19 njohje të reja, shkruan gazeta “Zëri”.
Deputeti i PDK-së Elmi Reçica, i cili është edhe anëtar në Komisionin për Punë të Jashtme, ka thënë për “Zërin” që derisa Serbia po lobon kundër njohjes së shtetësisë së Kosovës, institucionet e vendit duhet të ndërtojnë një strategji për t’u përballur me këtë lobim dhe për të siguruar njohje të reja.
“Çështja e njohjeve dhe e ruajtjes së njohjeve të cilat deri tash kanë ndodhur është çështje e gjitha institucioneve të Kosovës. Në anën tjetër ajo që ka bërë Serbia me aleatët e saj, pra me Rusinë, ka qenë një ofensivë jashtëzakonisht e fuqishme, sepse ata kanë lobuar te shtetet që ta tërheqin njohjen, por edhe të pamundësojnë njohje të reja”, ka thënë ai.
Rrjedhimisht si pasojë e kësaj Reçica vlerëson që të gjitha institucionet e vendit duhet të jenë së bashku në këtë “betejë” të Kosovës për sigurimin e njohjeve të reja për vendin.
“Institucionet e Kosovës duhet të jenë të koordinuara me miqtë strategjikë, me shtetet që na kanë mbështetur në liri, në pavarësi dhe në shtetndërtim, me qëllim që të ndërtohet një strategji e gjithanshme për t’u ballafaquar me këtë situatë që nuk është shumë e këndshme. Ne kemi një atakim prej të gjitha anëve dhe duhet të mobilizohemi të gjitha institucionet pavarësisht përkatësisë politike, kjo është betejë e Kosovës dhe jo për të dominuar në skenën tonë politike”, ka thënë ai./ZERI