Sot rreth orës 16:20 në fshatin Bardhosh-Prishtinë ka ndodhur një mosmarrëveshje/rrahje në mes disa personave të dy nacionaliteteve, shqiptarë dhe serbë.
Njësitet kompetente të Policisë së Kosovës janë angazhuar menjëherë dhe kanë arritë në atë lokacion, ku edhe kanë takuar palët e përfshira.
Sipas informacioneve fillestare dy shqiptar dhe një serb ishin përfshirë në një mosmarrëveshje e cila ka rezultuar me një përleshje të qastit. Personat e përfshirë janë shoqëruar në ambientet policore për të sqaruar rastin si dhe iu është ofruar ndihma mjekësore.
“Në Polici janë paraqitur edhe familjarët e palëve të përfshira dhe pas konsultimeve dhe sqarimit të rrethanave edhe nga vetë palët e përfshira dhe vlerësimin se përleshja ka qenë e qastit, përderisa ata punojnë në të njëjtin vend, të njëjtit nuk kanë dashur inicimin e ndonjë rasti apo procedure të mëtejme”, thuhet në një komunikatë të Policisë së Kosovës.
“Duke marr parasysh rëndësinë e plasimit të drejtë dhe të saktë të informacioneve, Policia e Kosovës ka ndërmarr me kohë të gjitha veprimet e saj ligjore konform procedurave dhe autorizimeve të parapara ligjore”.
Policia e Kosovës thotë se vazhdon të jetë e përkushtuar në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallime, si dhe për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike në vend.