Deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina, ka thënë se ka hapësirë për rishikimin e tarifës së vendosur ndaj produkteve serbe, raporton zeri.info.S
Teksa ka folur rreth kërkesave të ndërkombëtarëve për ta pezulluar taksën, Pantina ka thënë se klasa politike mund të ulet dhe të shikojë nëse janë arritur efektet e dëshiruara nga taksa.
“Taksën ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës e ka vendosur qeveria dhe është vendim i qeverisë, gjegjësisht i kryeministrit. Por mesazhet e miqve tanë mendoj se duhet të shqyrtohen me shumë kujdes. Megjithatë mendoj që gjithë klasa politike duhet të ulet dhe të marrë një vendim të përbashkët se si duhet të veprohet tutje, nëse ka arsye për t’u pezulluar, nëse ajo tashmë e ka arritur tashmë efektin apo jo”, ka deklaruar ajo.
LEXO EDHE: Thaçi nga Tirana: Pa shkelur mbi trupin tim, askush s’mund ta cenojë asnjë milimetër të territorit të Kosovës
Gjatë konferencës së mbajtur pas mbledhjes së kryesisë, Pantina tha se tarifa nuk do të jetë arsye për të cilën PSD do të kërkojë rrëzim të qeverisë, pasi sipas saj vendimi për masën 100 për qind ndaj produkteve serbe ka qenë i duhur.
“Nëse tashmë janë arritur efektet e dëshiruara mendoj se ka hapësirë për t’u ulur për ta rishqyrtuar. Kur them për ta rishqyrtuar nuk do të thotë domosdo për ta hequr ose pezulluar, por duhet ulur dhe të shikohet nëse efektet, rezultatet e pritura janë arritur dhe tashmë mos mund të shkaktojë më shumë pasoja sesa suksese. Por qeveria është ajo që duhet ta marrë vendimin sepse taksa është vendosur nga qeveria”, ka potencuar ajo.
Ndërkohë, SHBA dhe BE në mënyrë të vazhdueshme janë duke kërkuar pezullimin e taksës, por kryeministri Ramush Haradinaj ende nuk ka ndërruar qëndrim rreth kësaj çështjeje./Zëri