I pari i LDK-së, Isa Mustafa në mbledhjen e kryesisë së kësaj partie ka dhënë edhe versionin e vet lidhur me taksën 100%, raporton Gazeta Blic.
Ai tha se ata të cilët edhe e kanë vendosur këtë taksë duhet edhe që ta marrin vendimin për të.
“Ata që e kanë vendosur taksën edhe duhet ta marrin vendimin për të. Njëherë u vendos 10 % e më vonë është rritur ku u tha se ajo duhet të jetë 30% e më pastaj kryeparlamentari ka kërkuar 100%. Kjo është ajo që e kam dëgjuar”, tha ai.
Ai kritikoi qeverinë Haradinaj për vendosjen e kësaj takse pasi siç tha ai, është bërë pa ndonjë planifikim të situatës.
Shtoi se në Serbi, deri më tani asnjë kompani nuk është mbyllur për shkak të taksës.
“Në Serbi asnjë kompani nuk është mbyllur për efektet e taksës. Asnjë puntorë nuk është larguar se atyre u është ndalur shitja për shkak të taksës” u shpreh Mustafa.
Ai ka kritikuar po ashtu qeverinë për shkak të futjes së mallrave serbe në Kosovë edhe përkundër vendosjes së kësaj takse. Përmendi edhe faktin e deklaratave të presidentit të vendit, Hashim Thaçi i cili para disa ditësh deklaroi se në vend po hyjnë mallra në “të zezën”
“Si LDK mund të themi se asgjë nuk mund të matet me partneritetin me SHBA-të. Me qenë LDK në pushtet ne kurrë nuk kishim rreziku partneritetin me SHBA-të”, përfundoi ai./Gazeta Blic