Kryeministri Ramush Haradinaj pritet të takojë, sot rreth orës 13:30, dy këshilltarët kryesorë të politikës së jashtme të kancelares gjermane Angela Merkel, Matthia Leuttenberg dhe Jan Hecker.Merret vesh se në këtë takim priten të diskutohen disa pika.Një burim zyrtar për Klan Kosovën ka treguar se këshilltarët e kancelares gjermane do t’i tregojnë qeveritarëve kosovarë idenë e tyre se si do të gjendet një rrugëdalje për çështjen e taksës 100 % për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Hecker dhe Leuttenberg do të kërkojnë të dinë nëse Kosova ka plan për arritjen e Marrëveshje për Tregtinë e Lirë me Serbinë.Pos kësaj, këshilltarët kryesore të politikës së jashtme të Gjermanisë pritet të flasin për çështjen e heqjes së vizave pasi Gjermania edhe zyrtarisht është në favor të heqjes së regjimit të vizave për kosovarët.Në këtë takim pritet të diskutohet edhe çështja e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë ku gjermanët kërkojnë që në marrëveshjen finale mos të përfshihet çështja e ndryshimeve të mundshme të vijës kufitare.
Në ndërkohë, gazeta beogradase “Blic” duke iu referuar burimeve diplomatike ka shkruar se Jan Hecker, këshilltari më i rëndësishëm i politikës së jashtme të kancelares gjermane, Angela Merkel dhe këshilltari për Ballkan i saj, Matthias Leuttenberg, do të shkojnë sot në Serbi pas vizitës që do ta zhvillojnë në Kosovë.